I armatosur me pistoletë në Vlorë, arrestohet 23-vjeçari me precedentë, në pranga edhe shoferi

Një 23-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi qarkullonte i armatosur me pistoletë. Ai u kap në lagjen “Kushtrimi”, gjatë një operacioni të policisë të koduar “Siguria”.
Gjatë kontrollit fizik, uniformat blu i gjetën të riut një armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje.
Në pranga përfundoi edhe 37-vjeçari që e transportonte me automjet, i cili akuzohet për moskallëzim krimi. Sipas policisë, ai ka precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, automjeti dhe dy telefona celularë.
Njoftimi i policisë Vlorë
Finalizohet operacioni i koduar “Siguria”, për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Qarkullonte i armatosur me pistoletë, kapet dhe arrestohet në flagrancë 23-vjeçari.
Arrestohet për moskallëzim krimi, 37-vjeçari që e transportonte me automjet, me precedent kriminal në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, automjeti dhe 2 celularë.
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytetin e Vlorës, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Siguria”.
Gjatë operacionit, në lagjen “Kushtrimi”, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit R. H. dhe A. Ç. Gjatë kontrollit fizik ndaj pasagjerit, shtetasit R. H., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-R. H., 23 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-A. Ç., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
360grade.al



















