Po hetonte rastet e personave të zhdukur nga bandat kriminale, gjendet i vdekur gazetari në Meksikë

16/11/2026 18:18

Autoritetet meksikane kanë nisur një hetim për vdekjen e një gazetari që po hetonte rastet e personave të zhdukur.

Eduardo Flores, një gazetar për Enfoque Informativo, u gjet i vdekur të shtunën në mbrëmje në Acapulco, sipas punëdhënësit të tij, por nuk janë publikuar informacione të mëtejshme.

Meksika renditet vazhdimisht midis vendeve më vdekjeprurëse për gazetarët.

Organizata me seli në Londër, Article 19, ka regjistruar 181 raste të tilla që nga viti 2000 në vendin e Amerikës Latine, shumë prej të cilave janë të përqendruara në shtete me një prani të fortë të grupeve të krimit të organizuar, duke përfshirë gjashtë raste në shtatë muajt e parë të vitit 2026.

Këto vrasje rrallë zgjidhen, dhe vitin e kaluar, Reporterët pa Kufij e renditën Meksikën si vendin e dytë më të rrezikshëm për të punuar gazetarët, pas Gazës.

“Ky sulm jo vetëm që merr jetën e një kolegu, miku dhe personi të vlefshëm, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes”, tha Enfoque Informativo në një deklaratë.

“Nuk do të heshtim. Do të vazhdojmë t’i mbulojmë ngjarjet me të njëjtën vendosmëri dhe etikë profesionale që karakterizoi punën e Eduardo Flores Salado”, përfundoi shefi i Enfoque Informativo.

Ai i bëri thirrje zyrës së prokurorit të shtetit të kryejë një hetim të plotë dhe transparent në mënyrë që fajtorët të mbahen përgjegjës.

Zyra e prokurorit të shtetit të Guerreros ka hapur një hetim për vrasje, por ende nuk ka njoftuar se si u vra Flores, as nuk ka konfirmuar ndonjë arrestim.

Vdekja e Flores vjen pas asaj të Roxana Guzman, e cila drejtonte një media lajmesh kriminale në Veracruz. Një video që ajo kishte bërë, ku shiheshin burra të maskuar që i thyenin derën e përparme para rrëmbimit të saj më 2 qershor, u shpërnda gjerësisht në mediat sociale. Trupi i saj u gjet një muaj më vonë.

Top Channel