Një hotel që rikthen atmosferën e viteve të komunizmit, me dhoma oficerësh, mobilim të viteve ’70-’80 dhe postera historikë, pritet të ndërtohet në Bulqizë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur një tender me fond limit 95.7 milionë lekë, afro 1 milion euro, për projektimin dhe ndërtimin e hotelit që do të jetë pjesë e Parkut Tematik Retro “Divizioni”.
Sipas revistës Monitor, hoteli do të ndërtohet në vend të një godine ekzistuese, e cila do të shembet për shkak të problemeve me qëndrueshmërinë. Ndërtesa e re do të ruajë formën e së vjetrës, do të ketë tre kate, një sipërfaqe prej rreth 1 208 metrash katrorë dhe gjithsej 23 dhoma.
Në dy katet e para janë parashikuar 14 dhoma dyshe dhe dy dhoma familjare, ndërsa kati i sipërm do të ketë pesë dhoma të quajtura “dhoma oficeri”, një dhomë familjare dhe një dhomë të përbashkët me gjashtë shtretër.
Edhe ambientet e brendshme do të jenë të frymëzuara nga e kaluara. Mobilimi, ndriçimi dhe dekorimet do të rikrijojnë estetikën e viteve 1970–1980, ndërsa disa dhoma do të përmbajnë edhe elemente të viteve ’90. Hoteli do të ketë gjithashtu një hapësirë ekspozimi, dyqan suveniresh dhe ambient lojërash.
Projekti është pjesë e një parku tematik prej rreth 10 hektarësh, i planifikuar në zonën e ish-godinave të akomodimit të oficerëve dhe ish-parkut të logjistikës në Bulqizë. Përveç hotelit, parku do të përfshijë shëtitore, zona sportive dhe hapësira që tregojnë historinë e minierave dhe jetën e qytetit gjatë komunizmit.
Fondi prej afro 1 milion eurosh mbulon vetëm hotelin dhe sistemimin e ambienteve të tij të jashtme, jo ndërtimin e të gjithë parkut. Përpara nisjes së punimeve, kompania fituese do të duhet të përgatisë projektin përfundimtar të zbatimit dhe preventivin e punimeve.









Komente
Komento