Detektivi Fatmir Bardhoci, i cili ka thënë se është autorizuar nga Kongresi Amerikan për të hetuar vdekjen e një shtetasi amerikan në Kosovë, ka ngritur dyshime serioze për mënyrën se si janë zhvilluar hetimet nga institucionet vendore.

Në një konferencë për media, Bardhoci deklaroi se hetimi ndërkombëtar është iniciuar pas kërkesës së Haki Dervishit, vëllait të viktimës, me qëllim zbardhjen e rrethanave të vdekjes së familjarit të tij, e cila kishte ndodhur katër vjet më parë në Kosovë.


Sipas tij, gjatë investigimit të zhvilluar janë siguruar prova që ngrenë dyshime se rasti mund të ketë ndërlidhje me një ngjarje tjetër kriminale, që lidhet me vdekjen e një gruaje.

“Është një ngjarje makabre, një ngjarje shumë e rëndë, e cila jo vetëm për faktin që është shtetas amerikan, por sipas hetimeve të dyshuara në prova, ka rezultuar se është një ngjarje e cila ka ndodhur në lidhje me një tjetër ngjarje kriminale që ka të bëjë me varjen e një gruaje”, deklaroi Bardhoci.

Ai pretendoi se provat e mbledhura gjatë investigimit sugjerojnë se vdekja e shtetasit amerikan, i cili njëkohësisht ishte edhe shtetas shqiptar nga Kosova, nuk ishte domosdoshmërisht aksident trafiku, siç ishte trajtuar nga hetimet fillestare.

Bardhoci ngriti gjithashtu dyshime për përfshirjen e disa strukturave policore dhe të prokurorisë në moszbardhjen e rastit, duke pretenduar se hetimet mund të jenë penguar qëllimisht dhe se klasifikimi i ngjarjes nga vrasje e mundshme në aksident trafiku ka ndikuar në shmangien e përgjegjësisë penale.

“Sipas provave që kemi gjetur, të bazuara në fakte, ekziston një dyshim i bazuar në të gjitha këto prova që ngjarja kriminale është qëllimisht devijuar që të mos zbardhet dhe të trajtohet si një aksident trafiku”, u shpreh ai.

Sipas Bardhocit, një trajtim i tillë i rastit do të mundësonte mbylljen e hetimeve pa identifikimin dhe procedimin e personave potencialisht përgjegjës.

Ai theksoi se hetimi i zhvilluar prej tyre synon të zbardhë të gjitha rrethanat e vdekjes dhe të identifikojë përgjegjësit e mundshëm, duke ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si institucionet e Kosovës i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave./Telegrafi.