Gjykata e Tiranës ka vendosur të dërgojë për gjykim dosjen penale për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit më 6 tetor 2025. Në gjyq do të përballen Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe punonjësi i sigurisë në gjykatë, Banush Koxhaj, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale lidhur me ngjarjen.
Elvis Shkambi akuzohet për “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, është dërguar për gjykim për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve, ngjarja e rëndë ndodhi pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, gjatë një seance për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Elvis Shkambi nxori një pistoletë nga brezi dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe duke i shkaktuar vdekjen.
Më pas, ai drejtoi armën edhe ndaj dy personave të tjerë që tentuan të largoheshin nga salla. Si pasojë, Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir dhe pala tjetër në procesin gjyqësor, mbetën të plagosur. Njëri u qëllua në dorën e djathtë, ndërsa tjetri pësoi dëmtime në trup. Të dy u transportuan në Spitalin e Traumës dhe, sipas informacionit të dhënë pas ngjarjes, ndodheshin jashtë rrezikut për jetën.
Pas të shtënave, Elvis Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë dhe doli në oborrin e gjykatës, ku u arrestua në flagrancë.
Prokuroria pretendon se vrasja është kryer në bashkëpunim me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi. Një nga provat e përmendura në dosje është edhe deklarimi i vetë Elvis Shkambit se kishte mbajtur armën me vete edhe në seanca të mëparshme dhe se xhaxhai i tij kishte qenë në dijeni të këtij fakti.
Ngjarja ndodhi në përfundim të një procesi gjyqësor për një konflikt pronësie mes familjeve Shkambi dhe Kurtaj, çështje që po shqyrtohej në Apelin e Tiranës. Sipas hetimeve, vendimi i gjyqtarit Kalaja ishte në disfavor të palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi.
Me vendimin e Gjykatës së Tiranës, dosja kalon tashmë në fazën e gjykimit në themel, ku do të shqyrtohen provat dhe përgjegjësia penale e të pandehurve.


