Pogradec/ Rrëzohet në trotuar pas daljes nga lokali, merr plagë të rënda në kokë

Një person është plagosur rëndë në kokë paraditen e sotme në qytetin e Pogradecit, pasi është rrëzuar në momentin që po dilte nga një lokal ku kishte konsumuar kafen.
Ngjarja është regjistruar në lagjen numër 3, në zonën e njohur si “Qafa e Pazarit”. Sipas informacioneve paraprake, personi dyshohet se vuante nga epilepsia.
Pas rrëzimit, ai ka pësuar një dëmtim të rëndë në kokë dhe është transportuar menjëherë në Spitalin e Pogradecit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Mjekët i kanë qepur plagën me disa penj.
Burime bëjnë me dije se stafi mjekësor i ka rekomanduar transportimin drejt Spitalit të Korçës për kryerjen e një skaneri të kokës, për shkak të forcës së goditjes. Megjithatë, pacienti ka refuzuar transferimin dhe është larguar drejt banesës.
Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila ka ngritur grupin hetimor për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.




