Analisti Genc Burimi, në intervistë për News24 komentoi protestat studentore e qytetare kundër kryeministrit Rama.
Burimi tha se Rama nuk po ia del që të shuajë protestat. Shtoi se qytetarët sot në Shqipëri janë kundër Ramës, sidomos popullsia e re në moshë.
“Shprehja “Rama në burg” do të thotë se qytetarët besojnë se kryeministri duhet hetuar. Ndodh, edhe sepse rrethi i ngushtë i Ramës janë ose në qeli ose në paraburgim. Për sa kohë që protesta vazhdon, çdo gjë është në dorë të ndërkombëtarëve. Në momentin që ndërkombëtarët shikojnë se vijon ‘ndeshja’, mund të thonë boll e ndalojmë me kaq dhe hajde të bisedojmë. Kryeministri kërkon që të shuajë protestën. Nuk ia del dot ta shuajë protestën, sepse qytetarët janë kundër Ramës, së paku popullsia e re.
Rama ka kundër ndërkombëtarët, po të lexosh gazetat ndërkombëtare, vetëm fjalë negative për qeverinë në Tiranë ka. E vetmja pjesë e diplomacisë që është më pro Ramës, janë kancelaritë europiane, që ndjek një linjë tradicionale. Puna është sesa më shumë që Europa shkon djathtas, ata parti të djathta do i thonë Marta Kos, që ke biseduar me kryeministër të korruptuar në Shqipëri”, tha Burimi.
Më tej, Burimi vlerësoi se populli nuk e beson më Ramën. Për të, kryeministri është përtokë sot, i rrëzuar moralisht.
“PS sot është punë interesi. Ata që janë në PS janë të dyzuar, luajnë me dy porta, sepse nuk e dinë nëse Rama do të vazhdojë të mbajë pushtetin apo jo. Rama e ka kuptuar këtë lojë fare qartë. Mazhoranca është lëkundur moralisht, ka një divorc me popullin. Populli nuk e beson më. Moralisht është përtokë. Do të shembet kur të ketë një deklaratë kancelarie.
Të huajt janë të kënaqur me Ramën, sepse kanë interesa. Nëse në rrugë vazhdon protesta, Europa nuk do e lejoj më Ramën. Ndërkaq, kreu i PD-së Sali Berisha kërkon bashkim të të gjitha palëve kundër Ramës, që të rrëzohet kjo mazhorancë e rënë moralisht”, u shpreh Burimi.
