Momente tensioni dhe përplasjeje janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne para Kryeministrisë, ku protestuesit janë përballur drejtpërdrejt me efektivët e Policisë së Shtetit.
Situata është tensionuar në momentin kur forcat e policisë kanë ndërhyrë duke shtyrë protestuesit, të cilët nga ana e tyre kanë rezistuar dhe nuk janë tërhequr menjëherë. Përplasja fizike mes palëve ka krijuar momente kaosi, ndërsa tensionet kanë vijuar për disa çaste.
Gjatë përballjes me uniformat blu, protestuesit kanë shpërthyer në thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Në kor janë dëgjuar sloganet “Poshtë diktatura” dhe “Rama ik”, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre përmes thirrjeve të vazhdueshme.
Pavarësisht ndërhyrjes së efektivëve dhe përplasjeve të krijuara, protestuesit kanë vijuar qëndrimin e tyre, duke mos u tërhequr nga protesta.
Pas momenteve të tensionit, situata ka marrë një tjetër rrjedhë, pasi protestuesit kanë nisur të marshojnë, duke vijuar protestën dhe thirrjet kundër qeverisë.