Presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar infrastrukturën e vjetëruar të aviacionit për ndërprerjen masive të trafikut ajror në SHBA, që la në tokë dhjetëra mijëra fluturime dhe preku një numër të madh udhëtarësh.
Pak para nisjes së udhëtimit të tij në Azi, Trump komentoi për gazetarët incidentin, duke e përshkruar si një defekt në një pajisje shumë të vjetër.
“Ajo që patë të premten ishte një pajisje shumë, shumë e vjetër, e cila pësoi një lloj ataku në zemër”, deklaroi ai.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë mohoi çdo përgjegjësi për situatën, duke u shprehur: “Unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi”. Në të njëjtën kohë, ai e cilësoi ndërprerjen si një pasojë të problemeve me sistemet e vjetruara të aviacionit.
Trump tha se situata mund të shërbejë si argument për sigurimin e fondeve të nevojshme nga Kongresi për modernizimin e infrastrukturës. “E vetmja gjë pozitive që del nga kjo është se jam i sigurt që Kongresi tani do të na japë fondet për ta rregulluar këtë problem”, u shpreh presidenti.
Administrata amerikane po kërkon financim për zëvendësimin e sistemeve të vjetra që përdoren në menaxhimin e trafikut ajror.
Trump mbrojti gjithashtu sekretarin e Transportit, Sean Duffy, dhe zyrtarët federalë të aviacionit për mënyrën se si përballuan ndërprerjen, e cila nisi të premten.
“Ai po bën një punë të shkëlqyer”, tha presidenti, duke iu referuar Duffy-t.
Ai zbuloi se në momentin kur Administrata Federale e Aviacionit (FAA) shpalli pezullimin e fluturimeve, ndodhej në një takim në Zyrën Ovale me sekretarin e Transportit dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në menaxhimin e situatës.


