Rreziku për një aksident bërthamor në Ukrainë po rritet me afrimin e dimrit, për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit. Paralajmërimi vjen nga autoritetet rregullatore të sigurisë bërthamore të 38 vendeve, të cilat i kanë kërkuar Rusisë të ndalë sulmet ndaj centraleve bërthamore dhe objekteve energjetike që garantojnë funksionimin e sigurt të tyre.

Në një deklaratë të përbashkët, autoritetet shprehin shqetësimin për pasojat që mund të sjellë dëmtimi i rrjetit elektrik, pasi centralet bërthamore kanë nevojë për furnizim të qëndrueshëm me energji për të mbajtur të ftohur materialin bërthamor dhe për të shmangur mbinxehjen e reaktorëve. Një situatë e tillë mund të shkaktojë çlirimin e lëndëve radioaktive në atmosferë, me pasoja të ngjashme me katastrofën e Çernobilit në vitin 1986.

Per Strand, drejtues i autoriteteve HERCA dhe NORA, deklaroi për Reuters se sulmet ruse janë bërë më vdekjeprurëse javët e fundit, përfshirë përdorimin e dronëve me ngarkesa më të mëdha dhe saktësi më të lartë në goditje. Sipas tij, dimri që po vjen përbën periudhën me rrezikun më të lartë për një aksident bërthamor, raporton reuters. 

Shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë e një ndërprerjeje të përgjithshme të energjisë elektrike në Ukrainë, e cila mund të prekë njëkohësisht nëntë reaktorët bërthamorë që janë në funksion. Autoritetet paralajmërojnë se një skenar i tillë do të kishte pasoja veçanërisht të rënda.

Një tjetër pikë shqetësimi është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, i cili ndodhet nën kontrollin rus pranë vijës së frontit. Edhe pse aktualisht nuk prodhon energji elektrike, centrali varet nga furnizimi i jashtëm për të mbajtur në funksion sistemet e ftohjes dhe sigurisë.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), që nga fillimi i luftës, centrali i Zaporizhzhias ka humbur 27 herë furnizimin e jashtëm me energji elektrike, duke u detyruar të mbështetet te gjeneratorët rezervë me naftë. Që prej fundit të marsit, ai funksionon vetëm me një linjë të vetme të jashtme furnizimi.

Autoritetet ndërkombëtare bëjnë thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve evropiane në përgatitjen për çdo situatë emergjente. Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina vijojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për sulme ndaj centralit të Zaporizhzhias dhe dëmtim të linjave të furnizimit me energji.