Gjatë qëndrimit në Bruksel, ku mori pjesë në Forumin e Dytë të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, kryeministri Edi Rama është takuar me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. Gjatë takimit, Metsola shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimin në union. “Dua t’ju përgëzoj për përparimin që keni bërë në këtë proces. Siç e dini, ky Parlament është shumë, shumë mbështetës i zgjerimit. Prandaj është mirë që jeni këtu. Mund të mbështeteni në përkrahjen tonë në këtë drejtim”, u shpreh Presidentja Metsola. Më herët, kryeministri Rama u takua dhe me Presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa, ku në fokus të diskutimeve ishte sërish progresi i Shqipërisë në rrugën drejt familjes evropiane.