Rrethana të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 26-vjeçares Blerta Hyseni, e cila ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi ishte ndaluar nga hetuesit e antidrogës në pikën kufitare të Vërmicës. Në automjetin ku udhëtonte e reja, policia kishte gjetur dhe sekuestruar mbi 100 gramë kokainë të dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 15 nëntor, rreth orës 18:00. 26-vjeçarja udhëtonte me një automjet tip BMW X6, së bashku me Adnan Podvoricën, kur u ndaluan nga hetuesit. Gjatë kontrollit të mjetit u zbulua një sasi e dyshuar kokaine, e cila ishte fshehur në mënyrë të kamufluar.

Pas konstatimit të lëndës narkotike, hetuesit ngritën dyshimet se e reja mund të kishte gëlltitur drogë ose ta kishte fshehur atë brenda trupit. Për këtë arsye, ajo u shoqërua në Spitalin Rajonal të Prizrenit për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, 26-vjeçarja është dërguar dy herë në urgjencë, ndërsa më vonë gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm.

Burimet bëjnë me dije se gjatë procedurave policore asaj iu dha ndihma e parë, përpara se të transportohej në spital me shenja jete. Gjatë trajtimit mjekësor u ngrit edhe dyshimi për një mbidozë të rëndë narkotike, dyshim që raportohet të jetë përmendur nga një prej mjekëve, por që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht si shkak i vdekjes.

Pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, Blerta Hyseni humbi jetën në orët e para të së hënës, më 16 nëntor.

Pas ngjarjes, në vendin e rastit mbërritën grupet hetimore dhe njësitë e kriminalistikës. Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet obduksionit për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka një konfirmim nëse 26-vjeçarja kishte gëlltitur lëndë narkotike dhe as për rrethanat e sakta që çuan në përkeqësimin fatal të gjendjes së saj. Përgjigjet pritet të jepen nga ekspertiza mjekoligjore dhe hetimet në vijim.

Të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.