Lionel Messi ka nisur përgatitjet për të ndërmarrë veprime ligjore kundër Federatës së Futbollit të Argjentinës (AFA), duke kërkuar që institucioni të mos përdorë më emrin, fotografitë dhe videot e tij për qëllime komerciale.

Sipas gazetës argjentinase Clarín, ylli 39-vjeçar ka angazhuar ekspertë ligjorë për të përgatitur një dokument zyrtar përmes të cilit synon t'ia ndalojë federatës shfrytëzimin e imazhit të tij për përfitime financiare.


Ky zhvillim vjen në një kohë kur marrëdhëniet e Messit me drejtuesit e federatës janë përkeqësuar ndjeshëm, veçanërisht me presidentin Claudio Tapia, i cili po përballet me akuza dhe hetime lidhur me dyshime për parregullsi financiare në AFA.

Problemet me sponsorët, një nga arsyet e përplasjes

Një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë së Messit lidhet me përdorimin e imazhit të tij në një fushatë reklamuese për një markë birre argjentinase gjatë Kupës së Botës së fundit.

Problemi qëndronte në faktin se kapiteni i Argjentinës ka një marrëveshje sponsorizimi me markën amerikane Michelob, çka bëri që ekipi i tij të detyrohej t'u jepte shpjegime partnerëve komercialë për fushatën e miratuar nga federata.

Sipas Clarín, ky nuk ishte rasti i vetëm kur vendimet komerciale të AFA-s krijuan probleme për Messin dhe ekipin e tij. Futbollisti dhe familja e tij thuhet se janë detyruar në disa raste të japin sqarime para sponsorëve ndërkombëtarë për vendime në të cilat nuk kishin qenë të përfshirë.

telegrafi.com

Dyshimet financiare ndaj drejtuesve të AFA-s - por edhe organizimi i lamtumirës

Pakënaqësia është shtuar edhe për shkak të polemikave që kanë përfshirë drejtuesit e federatës. Presidenti Claudio Tapia dhe arkëtari Pablo Toviggino përmenden në hetime lidhur me dyshime për keqpërdorim financiar dhe përdorimin e kompanive të huaja për të fshehur rrjedhën e parave.

Messi, sipas raportimit, dëshiron të mbrojë reputacionin e tij dhe marrëveshjet ndërkombëtare nga çdo pasojë e mundshme e këtyre zhvillimeve.

Një tjetër arsye e pakënaqësisë së tij raportohet të jetë organizimi i ndeshjes së lamtumirës me kombëtaren argjentinase, në tetor, kundër Beninit.

Gjatë ceremonisë në stadiumin Monumental pati probleme me sistemin e zërit, ndriçimin dhe koreografinë me dronë, ndërsa kritika pati edhe për praninë e reklamave të sponsorëve gjatë një momenti që duhej t'i kushtohej karrierës së Messit.

Ende nuk dihet nëse kërkesa i është dorëzuar federatës

Megjithatë, ende nuk dihet nëse dokumenti ligjor i është dorëzuar zyrtarisht federatës.

Sipas burimeve të Clarín, disa pretendojnë se AFA e ka pranuar kërkesën, ndërsa të tjerë thonë se dokumenti është përgatitur, por ende nuk është dërguar.

Messi e ka mbyllur kapitullin e tij me kombëtaren argjentinase pas më shumë se dy dekadash, gjatë të cilave fitoi Kupën e Botës 2022 dhe dy tituj të Copa América.

Ai vazhdon të luajë te Inter Miami, ndërsa deri më tani as ai dhe as presidenti Tapia nuk kanë komentuar publikisht raportimet për veprimet e mundshme ligjore. /Telegrafi/