
Kryeministri hungarez Peter Magyar u kërkoi të hënën ligjvënësve të opozitës Fidesz dhe Kristian Demokratëve të japin dorëheqjen. Kjo pasi autoritetet rikuperuan gati 20 milionë dollarë në para të gatshme në një hetim për ryshfet ndaj një ministri të qeverisë së mëparshme të Viktor Orbanit.
Kërkesa për dorëheqjen e deputetëve të Fidesz u bë në parlament, përpara se ligjvënësit të nisnin këtë javë debatin për buxhetin e vitit 2027. Magyar, i cili e rrëzoi Orbanin pas 16 vitesh në zgjedhjet e prillit dhe u zotua të hetojë korrupsionin e dyshuar gjatë mandatit të tij, e quajti skandalin vetëm “maja e ajsbergut”.
Fushata e tij kundër korrupsionit do të vazhdojë, theksoi ai, shkruan Euronews Albania. “Nëse ju ka mbetur sadopak mirësjellje, ju kërkoj të jeni të guximshëm dhe t’i kërkoni falje popullit hungarez, dhe pastaj të ktheni mandatet tuaja”, u shpreh Magyar në sallën e Kuvendit. Sipas tij, skandali i parave të gatshme është vetëm një pjesë e vogël e asaj që ai pret të dalë nga hetimet për periudhën e qeverisjes së Orbanit.
Të premten, autoritetet rikuperuan gati 20 milionë dollarë në para të gatshme, disa prej të cilave ishin varrosur në pyje ose fshehur në ndërtesa dhe depo fermash. Hetimi për ryshfet ka në qendër Miklos Sesztak, një ministër nën Orbanin. Zbulimi i parave është i fundit në një seri hetimesh për korrupsion ndaj zyrtarëve që shërbyen nën ish-kryeministrin.
Një tjetër ish-ministër dhe ish-shef i bankës qendrore, Gyorgy Matolcsy, një aleat i Orbanit, ndodhet nën arrest për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon. Nga radhët e Fidesz-it, kryetari i grupit parlamentar Janos Boka deklaroi se çdo abuzim me paratë publike është i papranueshëm.
Vendimin duhet ta japë një gjykatë e pavarur, shtoi ai. Ligjvënësi Bence Retvari, anëtar i ish-partnerit të koalicionit të Fidesz-it, Kristian Demokratëve, i tha parlamentit se ata e refuzuan dënimin e Hungarisë “bazuar në mëkatin kolektiv”. Ndërkohë, dy sondazhe të fundit tregojnë se partia Tisza e Hungarisë po zgjeron epërsinë e saj ndaj Fidesz-it që nga shtatori.
