Gjykata e Durrësit ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar për Nikoll Radaçin, 57-vjeçarin që në maj të këtij viti përplasi me makinë tre fëmijë në trotuar, duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre dhe plagosjen e një tjetri. Çështja do të kalojë në gjykim të zakonshëm.
Në të njëjtën seancë, gjykata ka vendosur të mos pranojë si prova të përdorshme procesverbalin e marrjes së mostrës së gjakut dhe aktin e ekspertimit toksikologjik-ligjor.
Mbrojtja kishte kërkuar marrjen në konsideratë të këtyre akteve, duke pretenduar se analizat tregonin se Radaçi nuk kishte konsumuar alkool në momentin e aksidentit.
Gjykata ka vendosur gjithashtu pushimin e akuzës për drejtimin e automjetit në mënyrë të parregullt, pasi kjo vepër penale është përfshirë në amnistinë penale të këtij viti.
Pas këtij vendimi, 57-vjeçari do të gjykohet për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e dy fëmijëve dhe plagosjen e të miturit tjetër.
Aksidenti i rëndë ndodhi në maj në Durrës, kur tre fëmijët u përplasën nga automjeti që drejtohej nga Radaçi, ndërsa ndodheshin në trotuar.












