Bëri manovra të rrezikshme gjatë Maratonës së Tiranës, policia “kopsit” drejtuesin e motomjetit
Një episod i rrezikshëm është regjistruar gjatë zhvillimit të Maratonës së Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, ku një drejtues motomjeti ka kryer manovra të rrezikshme mes pjesëmarrësve dhe qytetarëve që ndodheshin në zonë. Personi është arrestuar nga Policia Rrugore, pasi rezultoi se drejtonte mjetin pa leje dhe nën efektin e lëndëve narkotike.
Ngjarja ka ndodhur gjatë zhvillimit të aktivitetit sportiv “Wizz Air Tirana Marathon”, ndërsa pamjet e manovrave të rrezikshme kanë dokumentuar sjelljen e drejtuesit në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Arrestimi i tij është pjesë e bilancit të kontrolleve të fundit të Policisë Rrugore të Tiranës, e cila ka vënë në pranga gjithsej 9 persona. Tetë prej të arrestuarve të tjerë akuzohen për drejtim të automjeteve në gjendje të dehur.
Përveç tyre, 21 drejtues të tjerë mjetesh janë proceduar penalisht për të njëjtën shkelje, pasi janë konstatuar duke drejtuar nën efektin e alkoolit.
Mbi 4 mijë gjoba brenda pak ditësh, bllokohen 43 automjete
Krahas arrestimeve dhe procedimeve penale, Policia Rrugore ka ndëshkuar administrativisht 4384 drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Sipas të dhënave të bëra publike, pjesa më e madhe e masave lidhen me parkimin dhe qëndrimin e gabuar të automjeteve. Konkretisht, 3780 drejtues janë gjobitur për ndalim, pushim apo parkim të parregullt, ndërsa 159 të tjerë për pozicionim të gabuar në korsi.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar gjithashtu 103 raste të përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit dhe 123 raste të mosvendosjes së rripit të sigurimit.
Në shkeljet e evidentuara përfshihen edhe 176 drejtues motomjetesh që janë ndëshkuar për mungesën e kaskës mbrojtëse. Ndërkohë, 43 mjete janë bllokuar nga autoritetet.
Kontrolle edhe pranë shkollave
Policia Rrugore bën me dije se monitorimi është përqendruar jo vetëm në akset kryesore të kryeqytetit dhe në hyrje-daljet e Tiranës, por edhe në zonat pranë institucioneve arsimore.
Sipas Policisë, kontrollet synojnë parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë së nxënësve, veçanërisht në zonat ku qarkullimi i këmbësorëve është më i lartë.
Në fund të njoftimit, autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin sjelljet që rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



