Arkivat kërkojnë më shumë fonde për sigurinë dhe digjitalizimin, buxheti 2027 i pamjaftueshëm

16/11/2026 20:39

527 milionë lekë merr nga buxheti i shtetit, sipas projektligjit, për vitin 2027 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, vetëm 0.31% më shumë se 2026.

Ky buxhet është i pamjaftueshëm për këtë institucion, u shpreh Auron Rrokaj në dëgjesën për buxhetin në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën. Ai kujtoi se Drejtorisë i janë ngarkuar arkivat e Ministrisë së Brendshme dhe asah të Mbrojtjes e detyra për trajnimin e të gjithë rrjetit arkivor në vend, ndja kërkon rritje të buxhetit.

“Na është bërë një zvogëlim prej 10 milionë lekë në tavanet buxhetore. Çdo vit na e keni dhënë, këtë vit na e keni hequr. Këtë vit kemi dhe kontrata që janë në fuqi për vitin që vjen në vlerën e 6 milionë lekëve. Na duhen këto 10 milionë që na janë hequr”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj.

Kërkesa e dytë e Arkivave lidhet me sigurinë fizike, duke përmendur veçanrisht ambientet e këqija të Arkivit në Shkozë.

 “Është një projekt që ka të bëjë me instalime kamerash dhe përforcim rrethimi në dy struktura kryesore, te selia e Drejtorisë dhe te katër vendruajtjet e reja të Arkivave në Shkozë. Në Shkozë duam të bëjmë dhe dy-tre kanale për të evituar ujërat se sa herë bie shi, hyn në katet e para. Ka nevojë për një rrethim sepse aktualisht është me një tel që nuk është i denjë as për një kotec pulash, jo për një arkiv shteti”, tha Rrokaj.

Ky institucion vijon me digjitalizimin e të gjitha dokumenteve arkivore, që synon t’i përmbyllë në 2028, por pranon rrezikun e dështimit, për shkak të mungesës së sigurisë online.

 “Po të bien sistemet tona, familjarët tanë do të ngelen pa marrë dokumente pronësie apo dokumente të tjera. Ajo që kërkojmë ne është 1/10 e asaj që harxhon një bankë e nivelit të dytë për të siguruar paratë, ndërsa këtu po flasim për të siguruar të shkuarën, të tashmen dhe të garantojmë shërbimin e saj në të ardhmen”, përfundoi drejtori i Arkivave.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave përdori si argument mungesën e Arkivave në mbledhjen e Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

“E kemi pasur të planifikuar seancë dëgjimore me këtë institucion, por nuk kanë ardhur për të shprehur kërkesat e tyre. Ka pasur vetëm një kërkesë shtesë që ka të bëjë me projektin e digjitalizimit, i cili nuk është reflektuar në këtë projektbuxhet. Mbetemi të hapur për ta diskutuar”, u shpreh drejtori i Analizës dhe Programimit Buxhetor të Ministrisë së Financave, Gentian Opre.

Kërkesat, Drejtoria e Përgjithshme i dorëzoi përmes një raporti në Komision, duke kërkuar rishikim të buxhetit përpara miratimit.

Top Channel