Një person plagoset me armë zjarri gjatë një plaçkitjeje në Çarshinë e Madhe të Gjakovës

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar se tre persona, një mashkull dhe dy femra, janë sjellë në Emergjencën e këtij spitali rreth orës 17:10, pas një ngjarjeje që lidhet me një plaçkitje në Çarshinë e Madhe të Gjakovës.
Sipas njoftimit të spitalit, personi i gjinisë mashkullore ka pësuar lëndim nga arma e zjarrit në gishtin e parë të këmbës së djathtë.
Pas ekzaminimit radiologjik, është konstatuar prania e një trupi të huaj në këmbën e tij, ndërsa pacienti është pranuar për trajtim spitalor.
Spitali ka bërë të ditur se gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkaq, te dy femrat nuk janë konstatuar lëndime traumatike. Ato kanë qenë të shqetësuara nga ngjarja dhe, pas trajtimit të nevojshëm, janë liruar nga spitali.
Për rrethanat e ngjarjes, spitali ka udhëzuar publikun që t'u referohet njoftimeve të organeve kompetente. /Telegrafi/






































