Klientët e disa prej bankave më të mëdha në SHBA raportuan të hënën vështirësi në aksesimin e llogarive të tyre bankare përmes internetit.
Sipas mediave amerikane, mijëra përdorues kanë raportuar vështirësi në platformën Downdetector, kryesisht për pamundësi për të hyrë në llogaritë e tyre përmes faqeve zyrtare dhe aplikacioneve në telefon, si dhe për probleme me transfertat e parave.
Sipas faqes Downdetector.com, përdoruesit raportuan ndërprerje ose probleme në shërbimet e Bank of America, Chase, U.S. Bank, Wells Fargo dhe Truist.
Një zëdhënës i Chase konfirmoi të hënën se shërbimet e bankës po përballeshin me një problem teknik, duke përjashtuar mundësinë e një sulmi kibernetik.
“Për shkak të një problemi teknik, disa transaksione po kërkojnë më shumë kohë se zakonisht për t'u përfunduar, por klientët vijojnë të kenë akses në llogaritë dhe fondet e tyre. Po punojmë për ta zgjidhur këtë problem sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhej në deklaratën e bankës.
Ndërkohë, një zëdhënës i U.S. Bank deklaroi se sistemet e saj nuk janë prekur drejtpërdrejt nga ndërprerja. Megjithatë, klientët që përpiqen të dërgojnë ose të marrin para përmes shërbimit Zelle nga institucione të tjera financiare mund të përballen me vonesa në kryerjen e transaksioneve.
Rrjeti i pagesave Zelle operohet nga kompania Early Warning Services, në pronësi të disa institucioneve financiare, mes tyre Bank of America, Capital One, JPMorgan Chase, PNC Bank, Truist, U.S. Bank dhe Wells Fargo.
Disa klientë të Chase kanë marrë një njoftim ku thuhej: “Disa shërbime nuk janë të disponueshme. Po punojmë për rikthimin e tyre. Ju lutemi, provoni përsëri më vonë”, shkruan AP.
Problemet vijnë pas një ndërprerjeje të madhe të shërbimeve të Microsoft, e cila nisi të premten dhe zgjati disa orë, duke prekur platforma si Outlook, Teams dhe asistentin e inteligjencës artificiale Copilot.
Problemet pasojnë gjithashtu vështirësitë në sistemet e kontrollit të trafikut ajror, të cilat gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës shkaktuan kaos në fluturimet në aeroportet amerikane, përfshirë edhe ato me destinacion SHBA-në.
Deri më tani, mediat raportojnë se nuk ka asnjë të dhënë për një sulm të mundshëm kibernetik apo për ndonjë lidhje mes këtyre incidenteve dhe problemeve të fundit me Microsoft-in dhe sistemet e aviacionit.
© SYRI.net