“Klloun i propagandës ruse”, Rama shpërthen keq ndaj gazetarit irlandez
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar publikisht gazetarin irlandez Chay Bowes, pasi ky i fundit publikoi në rrjetet sociale pamje nga protestat në Tiranë, duke pretenduar se kryeqyteti shqiptar po përjetonte trazira dhe përplasje me policinë.
Në reagimin e tij, Rama përdori gjuhë të ashpër ndaj gazetarit, duke e akuzuar për përhapje të propagandës ruse dhe duke iu referuar vendimit të fundit të Bashkimit Europian për vendosjen e sanksioneve ndaj tij.
“Ja dhe një klloun i propagandës ruse që sot u sanksionua nga Bashkimi Europian pikërisht si klloun i paguar nga Rusia”, shkruan kryeministri.
Rama ngriti gjithashtu pikëpyetje për arsyen pse Shqipëria është bërë objekt i publikimeve të Bowes, duke e lidhur këtë me ecurinë e procesit të integrimit europian.
“Po me Shqipërinë pse? Se Shqipëria e teproi me ngjitjen e saj lart dhe afrimin e shpejtë te objektivi historik: Anëtarësimi në Bashkimin Europian”, u shpreh kreu i qeverisë.
Reagimi vjen pasi Bowes kishte publikuar pamje nga protestat në Tiranë, të shoqëruara me pretendime për kaos, zjarre dhe përplasje me policinë, si dhe me thirrjet e qytetarëve për largimin e Ramës nga detyra.
Sanksionet e BE-së ndaj gazetarit irlandez
Më 16 nëntor, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian njoftuan vendosjen e masave kufizuese ndaj Chay Bowes, i cili punon për televizionin rus RT.
Sipas arsyetimit të autoriteteve europiane, gazetari dyshohet se ka marrë pjesë në manipulimin e informacionit dhe përhapjen e narrativave që mbështesin ose legjitimojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Masat përfshijnë ngrirjen e aseteve të tij në territorin e BE-së, kufizime financiare dhe ndalim udhëtimi. Në të njëjtën listë janë përfshirë edhe prezantuesit e televizioneve ruse Vitaly Eliseev dhe Petr Marchenko, si dhe blogeri dhe komentatori ushtarak Yurii Podoliaka.
Bowes është një nga themeluesit dhe ish-aksionarët e platformës informative irlandeze “The Ditch”. Ai e prezanton veten si gazetar, shkrimtar dhe prezantues.
Në vitin 2023, gazetari u ftua nga Rusia të mbante një fjalim përmes videolidhjes në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Gjatë ndërhyrjes së tij, ai kritikoi furnizimet ushtarake të vendeve perëndimore për Ukrainën dhe fajësoi NATO-n për konfliktin.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Irlandës, Helen McEntee, ka deklaruar se vendimi për sanksionet vjen në kuadër të diskutimeve për masat e mëtejshme kufizuese të Bashkimit Europian ndaj Rusisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



