Një shtetas shqiptar i kërkuar nga autoritetet italiane për trafik droge është liruar përkohësisht nga Gjykata Kombëtare e Spanjës, pa detyrim për të paguar garanci pasurore. Ai ishte arrestuar në Alicante, pas një urdhër-arresti europian për një vepër penale të kryer në Bolonjë më 11 nëntor 2004.
Shqiptari është dënuar nga drejtësia italiane me shtatë vite burg për trafikimin e rreth 500 gramëve heroinë. Sipas dokumentacionit të përcjellë nga autoritetet italiane përmes sistemit europian të bashkëpunimit policor SIRENE, ai kishte furnizuar një person tjetër me këtë sasi droge, në bashkëpunim me një person të paidentifikuar.
Urdhër-arresti europian mbështetet në një vendim gjyqësor të konfirmuar më 3 tetor 2023 dhe në një urdhër burgosjeje të lëshuar më pas nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit në Bolonjë. Dënimi prej shtatë vitesh burg nuk është vuajtur ende.
I arrestuari u paraqit të premten para gjyqtarit në Madrid, i përfaqësuar nga avokati Roberto Sánchez Martínez, dhe kundërshtoi dorëzimin te autoritetet italiane. Gjykata vendosi lirimin e tij të përkohshëm, por i caktoi disa masa detyruese deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit.
Shtetasi shqiptar duhet të paraqitet çdo javë pranë organit gjyqësor më të afërt me vendbanimin, nuk mund të largohet nga territori spanjoll dhe duhet të dorëzojë pasaportën brenda 72 orëve. Shkelja e këtyre detyrimeve mund të sjellë arrestimin dhe vendosjen e tij në paraburgim.
Sipas burimeve pranë çështjes, shqiptari jeton prej rreth 15 vitesh në Spanjë, ku disponon leje qëndrimi dhe është i punësuar. Këto rrethana janë marrë në konsideratë nga gjykata gjatë vlerësimit të gjendjes së tij personale dhe masave të sigurisë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes Sistemit të Informacionit Shengen (SIS), me qëllim arrestimin dhe dorëzimin te autoritetet italiane.
Tashmë, procedura gjyqësore në Spanjë do të vijojë për të vendosur nëse do të pranohet kërkesa e Italisë për dorëzimin e tij, në mënyrë që të vuajë dënimin prej shtatë vitesh burg për trafik droge.


