Fiks Fare/ Bulmeti dhe mishi shiten në mes të rrugës, pa frigorifer dhe nën diell, institucionet lajnë duart nga përgjegjësia
Një denoncim anonim në redaksinë e Fiks Fare ka vënë në lëvizje gazetarët për të verifikuar një rast të dyshuar abuzimi me vendin e punës në stacionin e pompimit në fshatin Velmish, Bashkia Roskovec.
Sipas denoncimit, Haxhi Tomori, i cili kishte punuar si pompist në këtë stacion, kishte dalë në pension në muajin maj. Pas largimit të tij nga puna, në këtë pozicion ishte emëruar i biri, Romario Tomori. Por, sipas informacionit të mbërritur në redaksi, ky i fundit nuk paraqitej në punë, ndonëse paguhej, ndërsa detyrën vazhdonte ta kryente i ati.
Për të verifikuar pretendimet, gazetarët e Fiks Fare udhëtuan drejt fshatit Velmish. Fillimisht, ata shkuan në stacionin e pompimit, por e gjetën atë të mbyllur. Më pas mësuan se Haxhi Tomori ndodhej në karburantin e fshatit.
Gazetarët iu afruan duke i shpjeguar se ishin të interesuar për vendin e punës si pompist, pasi kishin mësuar se pozicioni ishte vakant. Por përgjigjja e Haxhi Tomorit ishte befasuese. Ai deklaroi se ishte ende në punë.

“Jam unë në punë”, u shpreh ai, duke shtuar: “Nuk e di çfarë të kanë thënë ty, por unë jam në punë”.
Pas kësaj deklarate, rreth tre javë më vonë, gazetarët e Fiks Fare u rikthyen në Velmish për t’u përballur sërish me Haxhi Tomorin. Këtë herë, fatmirësisht, në takim ishte edhe i biri, Romario.
I pyetur për deklaratën e mëparshme, Haxhi Tomori dha përgjigje kontradiktore. Fillimisht pohoi se punën e bënte ai, më pas tha se detyrën e kryente i biri. Në vijim deklaroi se Romario ndodhej në Tiranë, ndërsa shtoi se kur djali nuk ishte, shkonte vetë në punë.

Përballë këtyre deklaratave, gazetarët kërkuan të merrnin një sqarim edhe nga Romario Tomori. Por përgjigjja e tij ishte: “Pasi të fikni kamerën?”. I riu refuzoi të japë shpjegime për punën e tij dhe më pas u largua, duke hyrë në një banesë private pranë karburantit.
Për të marrë një përgjigje zyrtare, Fiks Fare iu drejtua Njësisë Operative Roskovec. Drejtori i saj, Fatjon Agashi, sqaroi se në momentin kur kishte marrë detyrën, e kishte gjetur Romario Tomorin në punë.
Sipas Agashit, puna në stacionin e pompimit nuk ka një orar të përcaktuar fiks, pasi ajo lidhet me kohën kur pompa ndizet dhe fiket, në varësi të nevojave për konsum. Ai tha se Romario kishte raportuar në grupin e WhatsApp-it kryerjen e detyrave.

Megjithatë, drejtori u shpreh se, nëse pretendimet e ngritura nga Fiks Fare do të rezultonin të vërteta, do të merreshin masa ndëshkuese.
Disa ditë më vonë, Fatjon Agashi kontaktoi sërish gazetarët e Fiks Fare për t’i komunikuar se Romario Tomori kishte paraqitur dorëheqjen nga detyra për arsye personale. Për këtë fakt, ai dërgoi edhe një përgjigje zyrtare në redaksinë e emisionit.
Kështu, pas denoncimit dhe verifikimeve të Fiks Fare, rasti i punësimit në stacionin e pompimit në Velmish përfundoi me dorëheqjen e punonjësit të emëruar në këtë pozicion.
Top Channel