Kosova ka përfunduar përgatitjet për ndeshjen vendimtare kundër Republikës së Irlandës, që luhet të martën në Dublin, në orën 20:45.
Futbollistët e drejtuar nga Franco Foda zhvilluan stërvitjen zyrtare nën reshjet e shiut në kryeqytetin irlandez, përpara takimit të fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Të lidhura
None found
Përballja mbyll ndeshjet e Grupit B3 dhe ka peshë për renditjen përfundimtare. Krahas sigurimit të vendit të dytë, rezultati do të ndikojë në përcaktimin e vazove për shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian 2028, i cili hidhet në dhjetor.
Vendi i dytë do t’i jepte Kosovës edhe mundësinë të luante në play-off për ngjitjen në Ligën A të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” e presin këtë takim pas fitores 1-0 ndaj irlandezëve në Prishtinë, në përballjen e parë të zhvilluar më 24 shtator.
Foda ka theksuar se skuadra nuk shkon në Dublin për një barazim. Synimi i saj është fitorja, edhe pse do të përballet me një kundërshtar të fortë.
Në kampin e Kosovës mbizotëron një atmosferë pozitive, me lojtarët të përqendruar dhe të motivuar maksimalisht për ta përfunduar edicionin me një tjetër rezultat të mirë.








