Një klerik i lartë iranian, i cili për një periudhë të shkurtër ushtroi bashkë me dy zyrtarë të tjerë kompetencat e udhëheqësit suprem të Iranit pas vdekjes së ajatollah Ali Khamenei, vizitoi Sarajevën. Ai u bëri thirrje vendeve evropiane të distancohen nga politikat e Shteteve të Bashkuara dhe të Izraelit ndaj Teheranit.
Ajatollahu Alireza A’rafi i tha mediumit boshnjak Klix.ba se Irani “nuk njeh vija të kuqe kur bëhet fjalë për vetëmbrojtjen”. Ai shprehu dëshirën për t’i thelluar raportet me Bosnje e Hercegovinën në fushat e kulturës, arsimit dhe artit.
Më 15 nëntor, A’rafi mori pjesë në ceremoninë ku Nexhad Grabus mori detyrën e kreut të Bashkësisë Islame në Bosnje e Hercegovinë.
Vizita mund të ketë rëndësi edhe përtej diplomacisë fetare.
A’rafi është zyrtari më i lartë iranian që dihet se ka udhëtuar në Evropë që nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në shkurt. Vizita erdhi pasi figura politike në Iran kishin folur për mundësinë e zgjerimit të konfliktit edhe në vendet evropiane ku ka baza ushtarake amerikane.
“Mendoj se Irani do ta shfrytëzojë këtë mundësi për t’i forcuar lidhjet me autoritetet e Bosnje e Hercegovinës dhe do të përpiqet ta përdorë ndikimin e tyre për t’i menaxhuar tensionet mes Iranit dhe Evropës”, tha Ali Afshari, analist politik iranian me bazë në Uashington.
Një figurë me ndikim në Iran
A’rafi, 67 vjeç, është një nga figurat më me ndikim në qarqet udhëheqëse fetare të Iranit dhe ishte aleat i ngushtë i Khameneit.
Pasi Khamenei u vra në sulmet e përbashkëta amerikane dhe izraelite më 28 shkurt, A’rafi u bë një nga tre anëtarët e Këshillit të Përkohshëm Drejtues, bashkë me presidentin Masud Pezeshkian dhe kreun e gjyqësorit, Gholam Hossein Mohseni Ejei.
Këshilli mori përkohësisht kompetencat e udhëheqësit suprem. Mandati i tij përfundoi pak më shumë se një javë më vonë, kur Mojtaba, djali i Khameneit, u zgjodh udhëheqësi i ri suprem i Iranit.
A’rafi ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit të Gardianëve, i cili shqyrton kandidaturat në zgjedhje dhe ligjet, si dhe si nënkryetar i Asamblesë së Ekspertëve, organit që zgjedh udhëheqësin suprem.
Nga viti 2008 deri më 2018, A’rafi drejtoi Universitetin Ndërkombëtar Al-Mustafa në Kom, një institucion që përgatit klerikë dhe studiues fetarë shiitë nga jashtë Iranit dhe që thotë se ka degë në më shumë se 50 vende.
Në dhjetor të vitit 2020, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj universitetit, duke e akuzuar se kishte lehtësuar rekrutimet nga Forca Kuds, njësitit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit që kryen operacione jashtë vendit.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se Forca Kuds e përdorte rrjetin ndërkombëtar të universitetit për të rekrutuar burime për shërbimet e inteligjencës dhe luftëtarë të huaj për milicitë që mbështesnin presidentin e atëhershëm të Sirisë, Bashar al-Assad.
Mes tyre ishin Divizioni Fatemijoun, i përbërë kryesisht nga shiitë afganë, dhe Brigada Zajnabijoun, e përbërë nga shiitë pakistanezë. Sipas Departamentit të Thesarit, disa studentë të universitetit u vranë duke luftuar në Siri.
A’rafi e drejtoi Al-Mustafan gjatë një pjese të madhe të luftës civile në Siri. Në njoftimin për sanksionet, autoritetet amerikane nuk e akuzuan personalisht atë për drejtimin e operacionit të rekrutimeve.
Lidhje të kahershme me Bosnjë e Hercegovinën
Bashkësia Islame në Bosnje e Hercegovinë, anëtarët e së cilës tradicionalisht i përkasin degës sunite të islamit, ka mbajtur prej vitesh kontakte me institucionet shiite iraniane.
Ish-ambasadori i Bosnjë e Hercegovinës në Iran, Emir Haxhikaduniq, tha se A’rafi kishte lidhje të kahershme me Bashkësinë Islame përmes vizitave dhe bashkëpunimit në arsimin fetar.
“Mendoj se kjo është thjesht çështje ceremoniale. Ai është personi i duhur për këtë lloj bashkëpunimi”, i tha Haxhikaduniq Radios Evropa e Lirë.
Në qershor të vitit 2015, reis-ul-ulemaja i atëhershëm, Husein Kavazoviq, udhëhoqi një delegacion nga Bosnja e Hercegovina në Iran dhe u takua me A’rafin në Universitetin Al-Mustafa.
Kavazoviq vuri në pah traditat fetare të myslimanëve boshnjakë dhe paralajmëroi për grupe të huaja që paraqiteshin si përfaqësuese të shiitëve, veprimtaria e të cilave kishte ngjallur shqetësim mes dijetarëve fetarë vendas.
Kontaktet vazhduan, përfshirë takimet me zyrtarë fetarë dhe diplomatikë iranianë.
Pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit këtë vit, Bashkësia Islame bëri thirrje për ndaljen e luftës dhe rikthimin te diplomacia. Në prill, ajo njoftoi se nuk do të organizonte lutje përkujtimore me rastin e të dyzetave të vdekjes së Khameneit.
Nuk dihet publikisht nëse A’rafi takoi zyrtarë të tjerë fetarë apo politikë gjatë vizitës së tij në nëntor.
Afshari vlerëson se Bosnja e Hercegovina mund të shërbejë si urë mes Teheranit dhe Evropës. Ai paralajmëron se qasja ideologjike e udhëheqjes iraniane nuk përputhet domosdoshmërish me pikëpamjet e myslimanëve boshnjakë.
“Megjithatë, Bosnja e Hercegovina është një nga vendet më të rëndësishme për Iranin kur bëhet fjalë për ruajtjen e lidhjeve me Evropën”, tha ai./ REL.
