Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Forumin e 23-të Ekonomik të Vjenës, “Vienna Future Dialogue 2026”, ku ishte pjesë e panelit “Common Vision for a Longstanding Economic Cooperation”. Gjatë këtij takimi, ajo prezantoi zhvillimet e ekonomisë shqiptare, objektivat e integrimit evropian dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, drejtues kompanish dhe përfaqësues të qeverive nga vende të ndryshme, për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u ndal te ecuria e ekonomisë shqiptare, e cila gjatë vitit 2025 shënoi rritje prej rreth 3,8%, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në rreth 1,6 miliardë euro.

Ibrahimaj u shpreh se sfida e radhës është kalimi drejt një modeli ekonomik që mbështetet te produktiviteti, inovacioni, kapitali njerëzor dhe investimet që sjellin më shumë vlerë në ekonomi.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Ministrja bëri të ditur se Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre, përfshirë Kapitullin 20 për Politikën e Ndërmarrjeve dhe Industrinë. Objektivi i Shqipërisë, sipas saj, është përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Ibrahimaj theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm proces i përafrimit të legjislacionit, por edhe përgatitje e ekonomisë dhe e bizneseve shqiptare për të konkurruar në Tregun e Përbashkët Evropian.

“Kjo kërkon përmirësimin e klimës së investimeve, siguri juridike, thjeshtim të procedurave administrative dhe mbështetje për kompanitë që synojnë të përmbushin standardet evropiane. Anëtarësimi do t'u krijojë bizneseve shqiptare mundësi për të hyrë në një treg më të madh, për të krijuar partneritete të reja dhe për t'u përfshirë në zinxhirët evropianë të prodhimit”, u shpreh Minsitrja.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Ministrja nënvizoi se vendet e rajonit duhet të përshpejtojnë lehtësimin e tregtisë, të përmirësojnë bashkëpunimin doganor dhe të lehtësojnë lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve.

“Përmes CEFTA-s, Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes të BE-së janë krijuar mekanizma për të ulur pengesat që hasin bizneset, por zbatimi i angazhimeve duhet të ecë më shpejt, në mënyrë që rezultatet të përkthehen në procedura më të shkurtra, kosto më të ulëta dhe më shumë siguri për sipërmarrjet”, deklaroi Ibrahimaj.

Sipas Ibrahimajt, bashkëpunimi rajonal duhet të shkojë përtej lehtësimit të tregtisë dhe të përfshijë investime të përbashkëta, zhvillim industrial dhe lidhje më të forta mes kompanive të rajonit dhe tregjeve evropiane. Ajo veçoi sektorë si energjia, prodhimi, teknologjia dhe industritë e qëndrueshme, ku bashkëpunimi mund të krijojë mundësi të reja për bizneset e Ballkanit Perëndimor dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Evropës.

Në këtë kuadër, Ministrja prezantoi projektligjin e ri “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, aktualisht në konsultim publik.

“Nisma synon të thjeshtojë procedurat administrative, të forcojë sigurinë juridike dhe të krijojë një kuadër më transparent e të parashikueshëm për investitorët vendas dhe të huaj. Shqipëria synon të tërheqë investime që sjellin kapital, teknologji dhe njohuri, krijojnë vende pune cilësore dhe ndihmojnë bizneset shqiptare të rrisin konkurrueshmërinë e tyre”, tha Ministrja.

Ministrja foli gjithashtu për incentivat fiskale që mbështesin investimet në teknologji, kërkim dhe zhvillim, si dhe për programet publike të financimit të startup-eve.

Duke iu drejtuar investitorëve dhe përfaqësuesve të biznesit, Ibrahimaj nënvizoi se Shqipëria është e hapur për partneritete afatgjata që sjellin investime, teknologji dhe njohuri. Ajo veçoi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Austrinë, veçanërisht në fushën e investimeve, inovacionit, teknologjisë dhe zhvillimit industrial.

Forumi Ekonomik i Vjenës u zhvillua nën patronazhin e Kancelarit Federal të Austrisë, Christian Stocker, me temën “Common Vision for a Common Future - Strategic Challenges in Focus”.