Elisa Spiropali jashtë grupit parlamentar apo jashtë Partisë Socialiste? Këto janë pyetjet e një prej temave ‘më të nxehta’ të politikës ditët e fundit pas mbledhjes të së shtunës të Asamblesë së PS.
Mbledhja e socialistëve u mbyll pa votim për kërkesën e Edi Ramës për përjashtimin e saj, ndërsa pas mbledhjes Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, tha vetëm se “është anëtare e PS.”
Në mënyrë të ngjashme shprehet edhe zv.kryetari i grupit, Erion Malaj gjatë diskutimit në “Repolitix” në Report Tv, i cili tha vetëm se bëhet fjalë për çështje të brendshme.
“Janë çështje të brendshme që nëse nuk do të ishin kështu do të ishin publikuar në livestream. Ne kemi një statut, rregullat tona dhe strukturat drejtuese, nëse do të ketë nevojë, Kryesia ose grupi do të dalin me vendimmarrje formale, por në këtë moment që flasim nuk kemi asgjë për të komentuar për çështje të brendshme të familjes socialiste”, tha Malaj.
“Fokusi i Asamblesë janë zgjedhjet”, tha më tej Malaj.
I pyetur edhe për shqetësimet e Pandeli Majkos lidhur me 1000 orë filmime erotike në duart e Ergys Agasit që përflitet se janë edhe anëtarë të PS, Malaj iu shmang komenteve të drejtpërdrejta. Sa për votën e Spiropalit për buxhetin 2027, i beson të përbashkëtës.
Erion Malaj: Majko mbajti qëndrimet e tij për situatën dhe çështje që i konsideron të rëndësishme për PS. Për sa kohë ato diskutime kanë qenë të mbyllura, kemi pasur nevojë t’i diskutojmë me anëtarësinë.
-E prisni votën e Spiropalit për buxhetin?
Erion Malaj: Ne që jemi aty në atë krah, jemi të gjithë socialistë.
Diskutimet pa praninë e kamerave në Asamblenë e Partisë Socialiste të shtunën kanë qenë me tone të tensionuara. Gazetari Kujtim Topuzi shprehet për “Repolitix” në Report Tv se kryesocialisti Edi Rama e ka vënë theksin te mungesa e unifikimit dhe reagimeve lidhur për protestën.
Madje, ai u ka thënë disa socialistëve se “janë kënaqur” nga reagimet negative që ka marrë Taulant Balla, i cili ka postuar vazhdimisht për protestën.
“Në këtë mbledhje, e cila ka qenë një prej mbledhjeve me tone më të larta ndonjëherë në Partinë Socialiste, në mos më e tensionuara prej të gjithave, Rama i ka kërkuar llogari pjesës më të madhe të anëtarëve të Asamblesë për mosmbështetjen dhe mosunifikimin e të gjithë anëtarëve socialistë. Në lidhje me protestën, ka një batutë që e ka thënë. Ne e dimë të gjithë që Taulant Balla ka qenë një prej protagonistëve më të spikatur në kundërshtimin dhe anatemimin e protestës, sidomos me postime në Facebook. Rama, për shembull, u është drejtuar disa anëtarëve të Asamblesë dhe u ka thënë: Ju jeni kënaqur nga ato komentet negative që ka marrë Balla në Facebook për shkak të kësaj. Ideja e kryeministrit ka qenë që nuk kanë qenë të unifikuar dhe nuk kanë reaguar në nivelin e duhur”, tha Topuzi.










Komente
Komento