Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, komentoi në emisionin “Prime News24” deklaratën e raportuar të Pandeli Majkos në Asamblenë e Partisë Socialiste për ekzistencën e rreth 1000 orëve filmime, ku eksponentë të PS-së shfaqen në situata të dyshuara korruptive dhe erotike.
Kalaja tha se, sipas tij, këto materiale nuk janë thjesht legjenda urbane dhe se Majko mund t’i jetë referuar edhe çështjes së Belinda Ballukut. Ai pretendoi se në këto video janë përfshirë edhe figura të tjera të larta të Partisë Socialiste, duke përmendur emrin e Niko Peleshit.
“Sa u përket filmimeve, që nuk janë më legjendë urbane, Majko i referohet, mendoj unë, çështjes së Ballukut dhe videove të tjera, ku, në dijeninë time, është përfshirë edhe Niko Peleshi. Minimalisht, të mos vëmë në dyshim seriozitetin e Majkos”, u shpreh Kalaja.
Më tej, ai pretendoi se shërbimet turke disponojnë informacione për video komprometuese, erotike dhe korruptive, ku përfshihen eksponentë të lartë të PS-së. Kalaja paralajmëroi se në muajt e ardhshëm mund të bëhen publike materiale që, sipas tij, do të shkaktonin tronditje politike.
“Shërbimet turke i kanë këto informacione në raport me video skandaloze, erotike dhe korruptive. Me aq informacion sa kam unë, edhe Niko Peleshi është pjesë e këtyre videove, por nuk po jap më shumë informacion. Ka eksponentë të lartë të PS-së”, deklaroi ai.
Kalaja bëri edhe një paralelizëm me publikimin e materialeve komprometuese në Maqedoninë e Veriut, që në të kaluarën u përdorën për të goditur politikisht ish-kryeministrin Zoran Zaev.
“Këto dy-tre muaj që presim, do të dalin ato ‘bombat’ e famshme që hidhnin në Maqedoninë e Veriut për të goditur Zoran Zaevin, materiale komprometuese që nuk kanë parë ende dritën jeshile për t’u publikuar”, tha Kalaja.
Sipas tij, Majko ka informacion të sigurt për ekzistencën e këtyre materialeve, pasi ka akses dhe burime edhe në shërbime partnere. Ai përmendi gjithashtu marrëdhëniet e tensionuara mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Erdoğan, duke pretenduar se këto zhvillime mund të kenë lidhje me informacionet që disponojnë shërbimet turke.
Në fund, Kalaja u shpreh se Rama nuk është shfaqur i shqetësuar publikisht, pasi, sipas tij, shpreson ta zgjidhë çështjen përmes një marrëveshjeje me personat brenda vendit.
