Luis Figo drejt garës për kreun e FIFA-s? UEFA shqyrton kandidaturën e portugezit

UEFA po shqyrton mundësinë e kandidaturës së Luis Figos për të sfiduar Gianni Infantinon në zgjedhjet e ardhshme për presidencën e FIFA-s.
Ish-kapiteni i Portugalisë është një nga emrat që po diskutohet mes drejtuesve të futbollit evropian, të cilët synojnë të dalin me një kandidat të vetëm përballë presidentit aktual.
Fillimisht, në garë ishte përmendur Sándor Csányi, presidenti i Federatës Hungareze të Futbollit, ndërsa në listën e kandidatëve të mundshëm ishte edhe Arsène Wenger. Ky i fundit, megjithatë, e ka përjashtuar mundësinë për të marrë përsipër këtë sfidë.
Sipas informacioneve nga Zvicra, disa drejtues të UEFA-s po mbështesin emrin e Figos. Ish-futbollisti portugez ka provuar edhe më parë të garojë për kreun e FIFA-s, në vitin 2015, por në atë kohë tërhoqi kandidaturën.
Megjithatë, emri i tij nuk ka siguruar ende mbështetjen e plotë të federatave evropiane dhe diskutimet vijojnë. UEFA kërkon të shmangë përçarjen dhe të prezantojë një kandidat të përbashkët kundër Infantinos, i cili drejton FIFA-n që prej vitit 2016.
Zgjedhjet e ardhshme për presidencën e FIFA-s janë planifikuar të mbahen më 18 mars 2027 në Rabat të Marokut, gjatë kongresit të organizatës.




