Fati i Elisa Spiropalit është ende i paqartë pas Asamblesë së Partisë Socialiste, por për Kreshnik Spahiun, deputetja do të vijojë të jetë krah socialistëve në Kuvend.
Në një analizë për “Repolitix” në Report Tv, juristi thotë se nuk do të krijojë një fraksion apo parti të re. Sipas tij, vota e saj në Kuvend ‘nuk do ta tradhtojë’ familjen socialiste.
“Më duket shumë e çuditshme që një deputete që ka mbajtur pozicione shumë të larta, si kryetare e Parlamentit, si ministre e Jashtme, zhvillohet një Asamble, ka një zhurmë të madhe, gjithë Shqipëria flet për të dhe ajo ka 40 ditë që nuk thotë një fjalë. Si e kupton ti çfarë lloj politikani është kjo që kemi dhe që përfaqësohet te Elisa Spiropali? Elisa Spiropali është një nga prurjet që nuk ka hyrë në mënyrë individuale në politikën shqiptare. Ka hyrë si një grupim të cilin Edi Rama e futi në momentin kur donte të rinovonte partinë. Elisa Spiropali pati një ngritje e cila është për t'u admiruar nga çdokush. Dokush do ta ëndërronte që në atë moshë aq të re të kesh aq shumë funksione politike: drejtoreshë doganash, ministre disa herë, deputete, kryetare Parlamenti dhe ende është e re. Pra, ende nuk ka arritur kulmin e karrierës. Çështja është se çfarë ka bërë Elisa përpara se të fillonte përplasja me Edi Ramën, përpara se të shkarkohej? A ka pasur debat në atë parti, a ka pasur fraksion, a ka pasur mendim ndryshe në periudhën e qeverisjes, apo kanë qenë gjithmonë unikë dhe thjesht ishte një replikë pa kënaqësi nga shkarkimi si ministre e Jashtme? Nuk më duket fare çudi që pas gjithë kësaj zhurme, pas dy muajsh, Elisa të votojë siç është vota e 82 e partisë, të jetë po aty. Dhe unë kam bindje që do të ndodhë kjo. Do katandiset si gjithë të tjerët. A ngre dot parti? A ngre dot fraksion?”, tha Spahiu.
Bashkia e Tiranës do të jetë lehtazi në duart e socialistëve nëse opozita vijon të jetë e ndarë dhe pa kandidat të përbashkët, thotë juristi Kreshnik Spahiu. Ai shprehet për “Repolitix” në Report Tv se PS ka si avantazh sondazhet e shpeshta që bën për të parë mbështetjen për figurat e partisë.
“Unë mendoj që këta të dy nuk do të jenë kandidatë për Bashkinë. Mund të jenë vetëm në një rast: në qoftë se përballë do të ketë pesë kandidatë të ndarë, pra një opozitë të përçarë. Në qoftë se do të kemi një opozitë të ndarë, ku studentët të dalin me një kandidat, Arlind Qorri me një kandidat, Shqipëria Bëhet me Florian Binajn dhe PD-ja me doktor Alimehmetin, atëherë vendos Albanën ose këtë Demin. Nëse do të shikojë një rivalitet me një kandidat të fortë të opozitës, atëherë asnjëri dhe as tjetri nuk janë në listë. Mendoj që do të ketë një kandidaturë më të fortë. Zgjedhjet lokale favorizojnë në mënyrë të jashtëzakonshme Partinë Socialiste. Unë parashikoj që në zgjedhjet, përveç Tiranës, në gjithë qytetet e tjera do të jetë vetëm PD-PS. Asnjë parti tjetër nuk vendos kandidat, sepse sidomos me ndarjen e re territoriale është e pamundur që një parti e tretë të fitojë në një qytet kryetar bashkie. Për kryetar bashkie luhet vetëm në Tiranë. Ka një grup pune që PS-ja zhvillon sondazhe çdo dy javë për të parë kush nga njerëzit politikë brenda partisë, duke filluar nga Erion Braçe, Ogerta Manastirliu, Demo Koçiu, Blendi Gonxhja, si dhe emra të tjerë, ka kuota që ngrihen dhe ulen javë pas jave. Kanë edhe jashtë partisë Arbër Hajdarin, kanë faktorë të tjerë nga arti dhe kultura. Pra, vetëm opozita ende nuk e ka të qartë se kë do të kandidojë”, tha Spahiu.












Komente
Komento