Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas ka përjashtuar njohjen ligjore të territoreve të pushtuara ukrainase, ndërsa bëri thirrje që Rusia të mbajë përgjegjësi për krimet e luftës."Prioriteti duhet të jetë një armëpushim. Pastaj një marrëveshje paqeje", tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, pas Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel. Kallas theksoi se Moska kërkon copëtimin e Ukrainës, tërheqjen e NATO-s dhe të drejtën e vetos për çështjet e sigurisë evropiane. Ajo i përshkroi këto kërkesa si të papranueshme dhe argumentoi se në vitin 2021 ato u përdorën si pretekst për luftë, ndërsa sot po përdoren si pretekst për vazhdimin e saj. Diplomatja përsëriti se sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës duhet të respektohen, si dhe e drejta e saj për të zgjedhur aleancat e saj. Për sigurinë evropiane, Kallas tha se përparësia është rivendosja e arkitekturës ekzistuese dhe zbatimi i traktateve që e mbështesin atë.