Bashkimi Europian ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke vendosur në listën e masave kufizuese 30 individë dhe dy subjekte të akuzuar për manipulim të informacionit, përhapje të dezinformimit dhe sulme informatike ndaj vendeve të huaja.
Mes subjekteve të sanksionuara janë agjencia “Social Design Agency” (SDA), e lidhur me administratën presidenciale ruse, dhe grupi i hakerëve NoName057(16), i njohur për sulmet ndaj sistemeve dhe faqeve të internetit.
Masat prekin gjithashtu blogerë dhe personazhe televizive që veprojnë në Rusi, të cilët, sipas vendimit të BE-së, janë përfshirë në aktivitete që synojnë manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik.
“Social Design Agency” është vënë në shënjestër për rolin që dyshohet se ka luajtur në operacionet e manipulimit të informacionit, përmes të cilave synohet përhapja e narrativave të caktuara dhe ndikimi në perceptimin e publikut, veçanërisht jashtë kufijve të Rusisë.
Ndërkohë, grupi NoName057(16) lidhet me sulme informatike të tipit DDoS, të cilat synojnë të mbingarkojnë faqet e internetit dhe sistemet kompjuterike, duke i bërë ato përkohësisht të paarritshme për përdoruesit.
Sanksionet e reja janë pjesë e një pakete më të gjerë të Bashkimit Europian kundër individëve dhe subjekteve që konsiderohen se mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë. Kjo paketë përfshin gjithsej 12 individë dhe 101 subjekte që veprojnë në sektorë ekonomikë të rëndësishëm për financimin dhe mbështetjen e luftës.
Në mesin e subjekteve të prekura janë edhe afro 50 banka dhe institucione financiare.


