Anija e 17-të goditet nga dronët në Detin e Zi, shpëtohet ekuipazhi! Rumania e Bullgaria akuzojnë Rusinë

Anija e 17-të goditet nga dronët në Detin e Zi, shpëtohet ekuipazhi! Rumania e Bullgaria akuzojnë Rusinë

22:10, 16/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një anije transporti mallrash u godit në brigjet bullgare të Detit të Zi, bëri të ditur Ministria e Transportit e Bullgarisë.

Të 12 anëtarët e ekuipazhit, tetë shtetas turq dhe katër azerbajxhanas, u shpëtuan gjatë një operacioni të zhvilluar të hënën. Anija “Betul 8”, që lundronte nën flamurin e Somalisë, u godit nga dy dronë detarë, sipas dëshmive të anëtarëve të ekuipazhit.

Në operacionin e shpëtimit morën pjesë katër anije, dy bullgare, një rumune dhe një turke. Ministria e Transportit konfirmoi se një helikopter bullgar i transportoi të gjithë të mbijetuarit drejt bregut. Sipas autoriteteve, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Pas mbërritjes në qytetin port të Varnës, anëtarët e ekuipazhit u thanë gazetarëve se anija ishte goditur nga dy dronë detarë.

Ngjarja vjen pas goditjes së tri anijeve të tjera në brigjet e Rumanisë gjatë fundjavës, sipas autoriteteve në Bukuresht. Nga këto incidente nuk pati viktima. Ministri i Jashtëm rumun, Dan Neculaescu, i cilësoi të hënën incidentet e fundit si “të papranueshme”.

Anija transportonte 3 mijë tonë grurë dhe ishte nisur nga Rumania drejt Egjiptit. Autoritetet bullgare morën sinjalin e emergjencës në orët e para të së hënës, kur anija po fundosej rreth 74 kilometra në juglindje të Kepit Kaliakra.

Sulmet në Detin e Zi

Sipas kompanisë së sigurisë detare Diaplous, “Betul 8” është anija e 17-të e sulmuar në brigjet e Bullgarisë dhe Rumanisë që nga mesi i muajit korrik.

Ujërat pranë brigjeve të këtyre dy vendeve, të dyja anëtare të NATO-s, janë shndërruar në një nga rrugët kryesore të transportit të mallrave nga Ukraina, një prej eksportuesve më të mëdhenj të grurit në botë.

Portet ukrainase në Detin e Zi janë vënë vazhdimisht nën sulmet ruse që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë, më shumë se katër vite më parë. Nga ana tjetër, Ukraina është akuzuar gjithashtu për sulme ndaj anijeve ruse në zona të tjera të Detit të Zi.

Zyrtarët rumunë dhe bullgarë kanë drejtuar gishtin nga Rusia për sulmet ndaj anijeve, megjithëse Bullgaria ka theksuar se deri më tani nuk ka prova që vërtetojnë se kush qëndron pas tyre.

Rusia ka mohuar më parë përgjegjësinë për sulmet vdekjeprurëse me dronë në këtë rajon, shkruan Al Jazeera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco