Një ekspert mjeko-ligjor pretendon se financieri Jeffrey Epstein, i gjetur i vdekur në burg në vitin 2019, mund të jetë vrarë dhe se vdekja e tij nuk ishte vetëvrasje, siç u përcaktua zyrtarisht.
Profesori Michael Freeman, pas shqyrtimit të dosjes së mjekut ligjor të Nju Jorkut dhe fotografive të autopsisë, tha për BBC se dëmtimet në trupin e Epstein janë më të pajtueshme me mbytjen nga një person tjetër. Sipas tij, shenjat në qafë, një hemorragji në shpatullën e majtë dhe dëmtimet në fytyrë mund të tregojnë se ai është sulmuar.
Freeman argumenton se Epstein mund të jetë mbytur me një lidhëse, e cila më pas është përdorur për të varur trupin në krevatin e qelisë.
“Lëndimet dhe mënyra se si u gjet trupi nuk përputhen. Mbetet vetëm një shpjegim, që vdekja ishte rezultat i një vrasjeje”, u shpreh ai.
Megjithatë, pretendimet e tij bien ndesh me përfundimin zyrtar të autopsisë së vitit 2019. Mjekja ligjore Barbara Sampson e klasifikoi vdekjen si vetëvrasje përmes varjes, duke deklaruar se nuk kishte prova për plagë mbrojtëse që do të tregonin një përleshje. Ajo ka ritheksuar se qëndron pas përfundimit të saj.
Freeman nuk e ka ekzaminuar personalisht trupin e Epstein, por është mbështetur në dokumentet dhe fotografitë e autopsisë, të siguruara nga vëllai i financierit. Hulumtimi i tij nuk i është nënshtruar ende shqyrtimit nga ekspertë të tjerë shkencorë.
Jeffrey Epstein ishte një financier amerikan dhe një shkelës seksual i dënuar, i cili u përball me akuza të rënda për trafikim seksual të vajzave të mitura. Në vitin 2008, ai u dënua për kërkesë të shërbimeve seksuale nga një e mitur, ndërsa në vitin 2019 u arrestua sërish, nën akuza për drejtimin e një rrjeti të shfrytëzimit seksual të të miturave.
Më 10 gusht 2019, Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në Qendrën Korrektuese Metropolitane në Nju Jork, ndërsa priste gjyqin. Vdekja e tij u klasifikua zyrtarisht si vetëvrasje përmes varjes. Çështja shkaktoi reagime të shumta për shkak të rrethanave të vdekjes dhe problemeve të sigurisë në burg, ndërsa edhe sot vazhdojnë të ngrihen pikëpyetje dhe pretendime të ndryshme lidhur me atë që ndodhi.








Komente
Komento