Një 19-vjeçare në trajnim në Marinën Mbretërore Britanike është dënim pa burg pas akuzave se kishte ngacmuar seksualisht katër rekrute femra, duke i ndjekur deri në dushe dhe në shtrat. Bëhet fjalë për Able Seaman Lacey White, e cila u dënua nga Gjykata Ushtarake e Bulfordit në Wiltshire, raporton Daily Mail. Gjykata përshkroi sjelljen e saj si “obsesive”, dhe prokuroria tha se veprimet e White i bënin viktimat të ndiheshin “të pambrojtura” gjatë trajnimit bazë në qendrën HMS Raleigh në Cornwall.
Në njërin rast, thuhet se White ndoqi një rekrute 17-vjeçare nëpër bazë, i tha “good girl” dhe “e bukur”, dhe më pas e preku në zonën intime. Në një tjetër incident, ajo u vendos pranë një vajze në bllokun e dusheve, pavarësisht se në dispozicion ishin edhe nëntë dushë të tjera; prokurori tha se White e shtyu pjesën e pasme të trupit të viktimës për rreth pesë sekonda ndërsa ajo ishte e përkulur. Akuzat përfshijnë edhe kapjen e gjoksit të një rekruteje tjetër, përpjekjen për t’u futur në tualetin që po përdorte një vajzë dhe këndimin e këngëve me përmbajtje seksuale për të.
Një nga viktimat deklaroi se ishte “nën moshë” në atë kohë dhe se trauma ka pasur ndikim në shëndetin e saj mendor, duke theksuar se i kishte dhënë besim Marinës Mbretërore për një mjedis të sigurt që më pas u cenua. White, e cila tashmë është larguar nga ushtria, e pranoi fajësinë në mëngjesin e gjyqit për dy sulme seksuale dhe dy akuza për sjellje të turpshme.
Avokati i saj tha se ajo iu bashkua Marinës me pritshmëri për miqësi afatgjata, por “i keqkuptoi sinjalet sociale”; avokati shtoi se ajo tani është diagnostikuar me autizëm dhe ka nisur trajtimin me antidepresivë. Gjykatësi e dënoi White me 18 muaj urdhër komuniteti, 160 ditë punë të papaguar brenda 12 muajve dhe detyrimin për t’u paraqitur në polici për pesë vjet si autore e veprave seksuale. Gjykatësi theksoi se sjellja e saj ishte “përçarëse, poshtëruese dhe e padrejtë”, duke shtuar se ndërsa neurodiversiteti ishte një faktor, ajo dinte se veprimet ishin të papranueshme dhe se, nëse do të ishte ende në ushtri, do të ishte shkarkuar menjëherë.
