
Juristi Kreshnik Spahiu vlerëson se përçarja e opozitës mund t’i sigurojë Partisë Socialiste një fitore të lehtë në garën për Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, socialistët po analizojnë mbështetjen për disa figura politike dhe publike, ndërsa zgjedhja përfundimtare e kandidatit do të varet edhe nga mënyra se si do të paraqitet opozita në zgjedhje. I ftuar në Report Tv, Spahiu u shpreh se PS mund të zgjedhë një kandidat më pak konkurrues nëse përballë saj do të ketë disa kandidatura opozitare, ndërsa një opozitë e bashkuar do ta detyronte mazhorancën të kërkonte një emër më të fortë.
“Unë mendoj që këta të dy nuk do të jenë kandidatë për Bashkinë. Mund të jenë vetëm në një rast: në qoftë se përballë do të ketë pesë kandidatë të ndarë, pra një opozitë të përçarë”, deklaroi Spahiu. Ai përmendi si skenar mundësinë që studentët, Arlind Qorri, Shqipëria Bëhet dhe Partia Demokratike të paraqiten me kandidatë të veçantë, duke e konsideruar këtë situatë favorizuese për socialistët.
“Nëse do të shikojë një rivalitet me një kandidat të fortë të opozitës, atëherë asnjëri dhe as tjetri nuk janë në listë. Mendoj që do të ketë një kandidaturë më të fortë”, theksoi juristi. Sipas Spahiut, një tjetër avantazh i Partisë Socialiste është monitorimi i vazhdueshëm i mbështetjes elektorale për emrat që mund të përfshihen në garën për kryeqytetin.
“Ka një grup pune që PS-ja zhvillon sondazhe çdo dy javë për të parë kush nga njerëzit politikë brenda partisë, duke filluar nga Erion Braçe, Ogerta Manastirliu, Demo Koçiu, Blendi Gonxhja, si dhe emra të tjerë, ka kuota që ngrihen dhe ulen javë pas jave”, u shpreh ai.
Në këtë proces, sipas tij, nuk përjashtohen as figura jashtë strukturave partiake, mes të cilave përmendi Arbër Hajdarin dhe personalitete nga fusha e artit dhe kulturës. Spahiu parashikon gjithashtu se gara në shumicën e bashkive të vendit do të zhvillohet kryesisht mes PS-së dhe PD-së, ndërsa Tirana mund të jetë përjashtimi ku do të përfshihen edhe forca të tjera politike.
“Zgjedhjet lokale favorizojnë në mënyrë të jashtëzakonshme Partinë Socialiste”, deklaroi ai, duke argumentuar se ndarja territoriale e bën të vështirë fitoren e një partie të tretë në bashkitë e tjera.
