Klientët e disa prej bankave më të mëdha në SHBA janë përballur ditën e sotme, 16 nëntor, me probleme në përdorimin e shërbimeve bankare online dhe aplikacioneve për celularë. Sipas faqes Downdetector, e cila monitoron ndërprerjet e shërbimeve në internet, mijëra përdorues kanë raportuar vështirësi në aksesimin e llogarive dhe kryerjen e transaksioneve.
Problemet janë raportuar në Bank of America, JPMorgan Chase, U.S. Bank, Capital One, Truist dhe Wells Fargo. Vështirësi janë raportuar edhe në aplikacionin e pagesave Zelle, ku disa përdorues kanë hasur vonesa në kryerjen e transfertave.
Chase ishte banka me numrin më të lartë të raportimeve. Deri në orën 14:00 sipas kohës lokale në SHBA, rreth 4,800 klientë kishin raportuar probleme. Përdoruesit janë ankuar se nuk mund të kontrollonin gjendjen e llogarive, të kryenin transferta bankare apo të dërgonin para.
Disa klientë të Chase kanë marrë një njoftim ku banka i informonte se disa shërbime nuk ishin të disponueshme dhe se po punohej për rikthimin e tyre.
Një zëdhënës i Chase bëri të ditur se bëhej fjalë për një problem teknik dhe jo për një sulm kibernetik. Sipas tij, disa transaksione po kryheshin më ngadalë se zakonisht, por klientët vijonin të kishin akses në llogaritë dhe fondet e tyre. Banka tha se po punonte për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.
Edhe klientët e Bank of America raportuan probleme me bankomatet dhe shërbimet bankare online, ndërsa përdoruesit e U.S. Bank hasën vështirësi në aplikacionin celular dhe në transfertat e parave. Në rastin e Wells Fargo, ankesat lidhen kryesisht me hyrjen në llogari dhe kryerjen e transaksioneve.
Nga ana tjetër, Zelle deklaroi se sistemi i saj po funksiononte normalisht, por pranoi se disa përdorues mund të përballeshin me vonesa për shkak të problemeve teknike në bankat përmes të cilave kryhen pagesat.
Kompania sqaroi se përdoruesit e Zelle i menaxhojnë llogaritë dhe fondet e tyre përmes bankave dhe institucioneve financiare partnere, ndërsa vetë shërbimi nuk mban para të klientëve.
Edhe U.S. Bank konfirmoi se sistemet e saj nuk ishin prekur drejtpërdrejt nga problemi, por paralajmëroi se klientët që kryenin pagesa përmes Zelle me banka të tjera mund të përballeshin me vonesa.
Problemet vijnë vetëm pak ditë pas një ndërprerjeje globale të shërbimeve të Microsoft, e cila preku platformat Outlook dhe Teams. Kompania bëri të ditur se edhe në atë rast shkaku ishte një problem teknik dhe jo një sulm kibernetik.










