Pas kaosit të shkaktuar me trafikun ajror amerikan, ku për shumë orë u ndërprenë fluturimet në të gjithë vendin, të hënën Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përballën me një tjetër problematikë. Bankat e mëdha amerikane njoftuan ndërprerjen e shërbimeve, duke prekur mijëra klientë. Një problem teknik shkaktoi ndërprerje dhe vonesa të shërbimeve në disa prej institucioneve më të mëdha financiare në të gjithë Shtetet e Bashkuara, përfshirë JPMorgan Chase, Bank of America dhe Wells Fargo. Sipas raportimeve të klientëve dhe platformës që gjurmon ndërprerjet në internet ‘Downdetector’, përdoruesit janë përballur me vështirësi në aksesimin e shërbimeve bankare online dhe në aplikacionet celulare.