Tragjedi në futbollin argjentinas, 16-vjeçari Abel Nunez vdes pasi u godit nga topi në kokë
Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin argjentinas. Abel Núñez, futbollist vetëm 16-vjeçar i FC Ezeiza, ka ndërruar jetë të dielën, pasi pësoi një dëmtim të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje.
Sipas raportimit të mediumit spanjoll Marca, ngjarja ndodhi pasi një top e goditi drejtpërdrejt në kokë, pas një largimi nga një lojtar kundërshtar.
I riu ra menjëherë në tokë pa ndjenja, ndërsa personat e pranishëm i ofruan ndihmën e parë. Ai u transportua me urgjencë në një qendër mjekësore, kurse ndeshja u ndërpre menjëherë.

Nuk arriti t’i mbijetonte ndërhyrjes kirurgjikale
FC Ezeiza fillimisht njoftoi se futbollisti kishte pësuar një dëmtim shumë të rëndë në kokë dhe se i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale.
Klubi u kishte bërë thirrje familjarëve, miqve dhe tifozëve që të bashkoheshin në lutje për shërimin e tij. Megjithatë, gjendja e 16-vjeçarit nuk u përmirësua dhe më vonë u konfirmua lajmi i hidhur për vdekjen e tij.
“Ky është lajmi më i vështirë që duhet të ndajmë si klub. Me dhimbje të thellë dhe trishtim të madh, i themi lamtumirë një të riu që kishte gjithë jetën përpara dhe që sot na lë me një boshllëk të pamundur për t’u përshkruar”, thuhet në reagimin e FC Ezeiza.
Klubi u shprehu ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëlojtarëve të Abelit, duke shtuar se ai do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes së tyre.
Edhe klubi i futsallit pezullon aktivitetet
Përveç futbollit, Núñez ishte pjesë edhe e ekipit rezervë të futsallit të Nueva Estrella, që garon në aktivitetet e organizuara nga Federata Argjentinase e Futbollit (AFA).
Pas lajmit për vdekjen e tij, Nueva Estrella vendosi të pezullojë të gjitha aktivitetet sportive, përfshirë edhe ndeshjen e planifikuar kundër Argentinos Juniors.
“Sot, asnjë ndeshje apo rezultat nuk ka rëndësi. Sot, dhimbja na bashkon dhe na fton të jemi pranë atyre që kanë më shumë nevojë. Abeli do të jetë gjithmonë pjesë e familjes sonë. Pusho në paqe, vogëlush. Nueva Estrella nuk do të të harrojë kurrë”, shkroi klubi.
Vdekja e 16-vjeçarit ka lënë në pikëllim dy klubet ku ai ishte pjesë, si dhe familjen, miqtë dhe bashkëlojtarët e tij. /Telegrafi/


































