Spanja nuk do të bëhet pengesë për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, pavarësisht se ende nuk e njeh pavarësinë e saj.

Këtë e deklaroi ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, gjatë Forumit për Zgjerim 2026, të mbajtur në Bruksel.

“Kurrë nuk do të jemi pengesë ndaj dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe kurrë nuk do të pengojmë afrimin e Kosovës me BE-në”, u shpreh Albares.

Si dëshmi të këtij qëndrimi, ai përmendi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe njohjen e pasaportave kosovare nga autoritetet spanjolle.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me Qipron, Sllovakinë, Greqinë dhe Rumaninë.

Megjithatë, ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, theksoi se qëndrimi i këtyre pesë shteteve vazhdon të përbëjë një sfidë për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane.

Sipas Radio Europa e Lirë, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat. Prishtina aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa ende nuk është shqyrtuar.

Për të nisur procesin e vlerësimit të aplikimit, Komisioni Evropian duhet të marrë mandatin nga shtetet anëtare, të cilat duhet të vendosin njëzëri.

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar vazhdimisht që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit dhe të hapet sa më shpejt rruga drejt negociatave.

Forumi për Zgjerim u zhvillua më 15 dhe 16 nëntor në Bruksel, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë evropianë dhe përfaqësuesve të vendeve që synojnë anëtarësimin. Kosova nuk ishte e ftuar në këtë edicion, për të dytin vit radhazi.

 

Top Channel