Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Një muaj paraburgim ndaj ish-ministrit Haraqija dhe pesë të dyshuarve tjerë

Astrit Haraqija (arkiv)

Astrit Haraqija (arkiv)

Foto: Driton Paçarada

Të hënën kanë dalë para gjykatës ish-ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Astrit Haraqija, dhe pesë të tjerët të arrestuar të shtunën mbrëma në operacionin antidrogë të koduar “Heshtja”. 

E gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ua ka caktuar atyre masën e paraburgimit prej një muaji. 

Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit është caktuar nën dyshimin se gjashtë të pandehurit kanë kryer veprën penale të shitblerjes së narkotikëve, ndërsa Haraqija dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas dosjes së prokurorisë hetimet e nisura në prill 2026 kanë zbuluar se grupi i organizuar kriminal udhëhiqej nga Jeton Stanovci i njohur si “Daja”.

Aty theksohet se grupi furnizohej me substanca narkotike përmes Mërgim Stanovcit, Astrit Haraqijës dhe Alban Malokut, kurse lënda ndahej në një banesë dhe më pas shpërndahej në sasi të vogla. 

Furnizimi me drogë, sipas dosjes, bëhej nga Alban Maloku.

Po ashtu, dosja përmban komunikime telefonike mes Stanovcit dhe Gëzim Fekës, në të cilat ata diskutonin për shitjet e narkotikëve dhe pakënaqësitë për sasinë e vogël të shitur dhe vonesat në shpërndarje.

Edhe Ish-ministri Haraqija mes 6 të arrestuarve në operacionin antidrogë LAJMET E MBRËMJES Ish-ministri Haraqija mes 6 të arrestuarve në operacionin antidrogë

Por avokati i ish-ministrit Haraqija, Korab Bokshi, pas seancës ka thënë se klienti i tij nuk ka lidhje me personat e tjerë të arrestuar për narkotikë.

“Megjithatë, ne si mbrojtje mendojmë se, për sa i përket raportit me ish-ministrin Astrit Haraqija, nuk plotësohen kushtet – as ato të përgjithshmet e aq më pak të veçantat – për shkak se prokuroria ka dhënë arsyetime të përgjithësuara, jo të specifikuara për z. Astrit Haraqija, duke e përfshirë në një grup të cilin e kemi thënë edhe dje. Në shumicën prej tyre, ai nuk njeh as personalisht, as në çfarëdo forme, personat të cilët janë të bashkëpandehur, po ta themi kështu”, ka thënë Bokshi.

Operacioni “Heshtja” është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një hetimi të gjatë. Gjatë operacionit janë sekuestruar 1.6 kilogram kokainë, substanca të tjera dhe asete të ndryshme.