
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka firmosur urdhrin për uljen e tarifave të pajisjes me pasaporta dhe karta identiteti për disa kategori qytetarësh. Masa hyn në fuqi më 1 janar 2027.
Përfitues të kësaj mase do të jenë fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç. Qëllimi është lehtësimi i kostove për familjet dhe kategoritë që kanë më shumë nevojë për mbështetje.
Konkretisht, për fëmijët nën 16 vjeç, tarifa e pasaportës ulet nga 7 500 në 6 000 lekë. Për personat me aftësi të kufizuara, karta e identitetit do të kushtojë 1 000 lekë, nga 1 500 lekë që kushton aktualisht, ndërsa tarifa e pasaportës do të ulet në 6 000 lekë. Për qytetarët mbi 65 vjeç, tarifa e kartës së identitetit ulet nga 1 500 në 1 000 lekë.
Kreu i Ministrisë së Brendshme e cilësoi këtë vendim si përmbushje të një angazhimi të deklaruar më herët, gjatë një daljeje publike më 2 tetor. Ai theksoi se lehtësimi i kostove dhe përmirësimi i shërbimeve publike duhet të ecin paralelisht.
“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë”, tha Demo.
Ai nënvizoi se ulja e tarifave është pjesë e një angazhimi më të gjerë për ofrimin e shërbimeve më të shpejta, reduktimin e burokracisë dhe rritjen e kujdesit ndaj qytetarëve. Gjithashtu, garantoi se do ta ndjekë personalisht zbatimin e këtij vendimi.
“Nuk mund t’i kërkojmë qytetarit të kuptojë vështirësitë e institucionit, nëse institucioni nuk kupton vështirësitë e qytetarit. Më pak kosto, më pak pritje dhe më shumë respekt për qytetarin”, u shpreh ministri.
