Kim Jong Un shfaqet duke pirë duhan në një resort skish me familjen, vajza e tij tërheq vëmendjen

17/11/2026 09:16

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është shfaqur në një resort skish pranë kufirit me Kinën, duke shijuar pushimet me familjen e tij.

Në fotografitë dhe videot e publikuara nga mediat shtetërore, Kim shihet i ulur në një kolltuk lëkure, me cigare në dorë dhe syze dielli, ndërsa vëzhgon peizazhin malor.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, Kim vizitoi zonën turistike të Samjiyon të dielën dhe të hënën, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Ri Sol-ju, vajza dhe disa zyrtarë të Partisë së Punës së Koresë.

Vëmendje të veçantë në pamjet e publikuara mori edhe vajza e tij, Kim Joo-e, e cila shfaqet duke bërë ski e veshur me një kostum të bardhë. Prania e saj ka ngjallur interes, pasi inteligjenca e Koresë së Jugut ka vlerësuar se ajo mund të jetë duke u përgatitur për të pasuar të atin në drejtimin e vendit.

Gjatë vizitës në kompleksin turistik, i cili përfshin pista skish dhe hotele, Kim Jong Un vlerësoi cilësinë e ndërtimeve dhe organizimin e ambienteve. Sipas KCNA-së, ai u shpreh i kënaqur me vëmendjen ndaj detajeve dhe peizazhin përreth, të cilin e krahasoi me një qytet të ndërtuar mes pyjeve.

Samjiyon ndodhet në veri të Koresë së Veriut, pranë kufirit me Kinën dhe jo larg malit Paektu, një vend me rëndësi të veçantë simbolike për familjen Kim, pasi konsiderohet vendlindja e shenjtë e babait të udhëheqësit aktual, Kim Jong Il.

A do të takohet Kim Jong Un me Donald Trump?

Publikimi i pamjeve nga vizita e Kim Jong Un vjen në një moment kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka ngritur mundësinë e një takimi të ri me udhëheqësin koreano-verior gjatë qëndrimit të tij në Kinë.

“Ne mund të takohemi me Kim Jong Un, kështu që kjo do të ishte mirë”, deklaroi Trump për gazetarët para nisjes drejt Kinës. Ai shtoi se realizimi i një takimi të tillë do të varej edhe nga presidenti kinez, Xi Jinping.

Megjithatë, analistët nuk shohin shenja konkrete se një takim i tillë mund të zhvillohet gjatë kësaj jave. Studiuesi Hong Min, nga Instituti Korean për Unifikimin Kombëtar, deklaroi për AFP se njoftimi i mediave shtetërore të Koresë së Veriut nuk përmbante asnjë sinjal apo mesazh drejtuar Uashingtonit.

Ai theksoi se vizita e Kim në Samjiyon nuk mund të konsiderohet si një përgatitje për një takim të mundshëm me Trump.

Kujtojmë se Trump dhe Kim Jong Un janë takuar tri herë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, në kuadër të përpjekjeve për të negociuar mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Top Channel