Reshjet e dendura në Shkodër, dëmtohet ura në Shalë, rrëshqitje dherash në Fushë-Arrëz

Reshjet e shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar disa problematika në Qarkun e Shkodrës, ku është dëmtuar një urë në zonën e Shalës dhe janë evidentuar rënie gurësh e rrëshqitje dherash në disa akse rurale të Fushë-Arrëzit. Sipas informacionit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, të publikuar më 17 nëntor 2026, ora 08:30, situata në përgjithësi paraqitet e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit.
Në Bashkinë Shkodër, rritja e prurjeve të përrenjve ka shkaktuar dëmtimin e urës në Grykën e Nërshqemit, në fshatin Breg Lumi, në Njësinë Administrative Shalë.
Ndërkohë, në Bashkinë Fushë-Arrëz janë konstatuar rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash në disa rrugë rurale. Strukturat përgjegjëse janë angazhuar për pastrimin e akseve dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet.
Në bashkitë Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës nuk raportohen problematika të shkaktuara nga reshjet.
Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e qarkut janë regjistruar rreth 65 milimetra reshje shiu. Autoritetet bëjnë me dije se nivelet e lumit Drin dhe të liqenit vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut, ndërsa hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri.
Prefektura e Shkodrës po vijon monitorimin e situatës në bashkëpunim me njësitë vendore dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me qëllim ndërhyrjen në kohë në rast të problematikave të tjera.
Njoftimi i plotë:
Situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të shiut gjatë orëve të fundit. Në Bashkinë Shkodër, si pasojë e rritjes së prurjeve të përrenjve, është dëmtuar ura në Grykën e Nërshqemit, në fshatin Breg Lumi, Njësia Administrative Shalë.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash në disa akse rurale. Strukturat përgjegjëse janë angazhuar për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit. Në bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës nuk raportohen problematika.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 65 mm reshje shiu. Nivelet e lumit Drin dhe të liqenit mbeten nën kuotat e riskut, ndërsa hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri. Prefektura e Qarkut Shkodër vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me prioritet sigurinë e qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë ndaj çdo problematike. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat malore dhe akset ku janë evidentuar rrëshqitje dherash.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



