Dy shtetase shqiptare, 45 dhe 39 vjeçe, janë dëbuar nga Italia dhe janë riatdhesuar në Shqipëri me një fluturim nga aeroporti i Orio al Serios në Bergamo, pas konstatimit të qëndrimit të parregullt në territorin italian.
Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan se të dyja shtetaset shqiptare nuk kishin dokumentacion të rregullt për qëndrimin në Itali. Për këtë arsye, ato u shoqëruan në Komisariatin e Policisë, ku nisi procedura për dëbimin nga territori italian.
Meqenëse dispononin pasaporta të vlefshme, autoritetet vendosën mbajtjen e dokumenteve të udhëtimit për të mundësuar riatdhesimin e tyre.
Sipas të dhënave të policisë, 45-vjeçarja rezultonte e dënuar më parë për grabitje pa përdorim dhune të drejtpërdrejtë, ndërsa 39-vjeçarja kishte pasur edhe më herët një urdhër dëbimi nga Italia.
Procedurat u përmbyllën me shoqërimin e dy grave drejt aeroportit të Orio al Serios në Bergamo, ku pasditen e sotme, në orën 18:00, ato u nisën me avion drejt Tiranës. Operacioni u krye nga efektivët e specializuar të Drejtorisë së Policisë së qytetit, nëpërmjet Zyrës së Emigracionit.
Autoritetet italiane vijojnë kontrollet dhe procedurat për identifikimin dhe largimin nga territori i vendit të shtetasve të huaj që qëndrojnë në mënyrë të parregullt.












