Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit të Bashkimit Europian për vendosjen e sanksioneve ndaj Chay Bowes, të cilin e cilëson si bashkëpunëtor të Russia Today.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se skema ruse e dezinformimit në Europë dhe në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Ai sjell në vëmendje aktivitetin e Bowes në rrjetet sociale, ku ky i fundit kishte shpërndarë pamje nga protesta e studentëve në Shqipëri.

Sipas Ballës, sanksionimi i tij nga BE-ja, në kuadër të masave kundër rrjeteve të dezinformimit dhe operacioneve të ndikimit të lidhura me Rusinë, dëshmon rëndësinë e luftës kundër manipulimit të informacionit.

“Liria e medias nuk mund të përdoret si mbulesë për operacione të koordinuara të manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjes në hapësirën demokratike europiane. Mbrojtja e demokracisë kërkon transparencë dhe përgjegjësi”, thekson Balla.

Vendimi i Këshillit të BE-së, i datës 16 nëntor 2026, përfshin Chay Bowes mes personave të sanksionuar për përfshirje në manipulimin e informacionit dhe përhapjen e narrativave që, sipas vlerësimit të BE-së, legjitimojnë dhe mbështesin agresionin rus kundër Ukrainës.

Foto: Postimi i Taulant Ballës në Facebook