Tuesday / November 17 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Europa Lajmet Kryesore

Rrjedhin 15 milionë dokumente të Deutsche Bank, zbulohen skandale dhe transaksione të dyshimta

Share Share Icon

Një rrjedhje masive dokumentesh të brendshme të Deutsche Bank zbuluan shkelje, paaftësi, premtime të pambajtura për reforma dhe sekrete të disa prej klientëve miliarderë dhe oligarkë të bankës. Investigimi hedh dritë edhe mbi drejtimin e Christian Sewing, marrëdhëniet me Jeffrey Epstein dhe Donald Trump, si dhe aktivitetin e diskutueshëm të bankës në Rusi…

Më shumë se 15 milionë dokumente të brendshme të Deutsche Bank, të nxjerra nga dy sinjalizues, kanë zbuluar sjellje të papërshtatshme, dështime sistematike, paaftësi, premtime të pambajtura për reformimin e institucionit financiar, si dhe sekrete të disa prej klientëve të tij miliarderë dhe oligarkë.

Email-et, hetimet e brendshme, procesverbalet e mbledhjeve të bordit, dokumentet e kontrollit të përputhshmërisë me rregullat dhe bisedat mes punonjësve hedhin dritë të re mbi karrierën dhe mënyrën e drejtimit të Christian Sewing, drejtorit ekzekutiv që mori drejtimin e bankës në vitin 2018. Sewing, i cili e ka ndërtuar karrierën brenda Deutsche Bank, vlerësohet gjerësisht për nxjerrjen e institucionit nga një situatë kritike, pas një sërë skandalesh, dhe rikthimin e tij drejt fitimeve rekord.

Por dokumentet tregojnë një realitet tjetër në komunikimet e brendshme. Njeriu që kishte premtuar t’u jepte fund skandaleve të bankës nxiste marrjen e rreziqeve më të mëdha, kritikonte ashpër mekanizmat e kontrollit të përputhshmërisë me rregullat dhe mbante të fshehta nga aksionarët disa prej problemeve të institucionit.

Investigimi, i titulluar Inside Deutsche Bank, zbulon gjithashtu manovra kontabël, raportime financiare që i afrohen kufirit të mashtrimit, si dhe hollësi të panjohura më parë mbi marrëdhëniet e bankës me Jeffrey Epstein, të dënuar për krime seksuale ndaj të miturave, dhe presidentin amerikan Donald Trump.

Financial Times analizoi dokumentet në bashkëpunim me më shumë se 200 gazetarë nga e gjithë bota, të angazhuar në dhjetëra media, përfshirë Daraj, Der Spiegel, Manager Magazin, El Universal, Financial Mail, Kyodo News, Le Monde, The New York Times dhe Paper Trail Media.

Investigimi u koordinua nga Barracuda Media, një organizatë jofitimprurëse me seli në Afrikën e Jugut, me mbështetjen teknike të Qendrës së të Dhënave dhe Kërkimit (DARC) në Gjermani.

Ishte pikërisht marrëdhënia e Deutsche Bank me oligarkët dhe paratë ruse që i motivoi dy sinjalizuesit të kopjonin këtë arkiv të madh informacioni dhe t’ua dorëzonin gazetarit indian Josy Joseph dhe gazetares afrikanojugore Khadija Sharife.

Në një deklaratë, sinjalizuesit thanë se kishin vepruar në interes të publikut për të ekspozuar sjelljen e bankës, përfshirë çështje që lidheshin me llogaritë e oligarkëve rusë.

Njëri prej tyre deklaroi se banka kishte nevojë për një reformim të plotë të drejtimit dhe kulturës së saj institucionale.

Deutsche Bank, e cila në vitin 2021 ishte bërë subjekt i një marrëveshjeje për shtyrjen e ndjekjes penale me Departamentin Amerikan të Drejtësisë, është kontrolluar nga autoritetet gjermane tri herë vetëm gjatë këtij viti.

Që nga viti 2012, banka ka paguar 18.6 miliardë euro për të zgjidhur akuza për shkelje dhe mosmarrëveshje gjyqësore të lidhura me një sërë skandalesh. Këto përfshijnë manipulimin e tregjeve, pastrimin e parave ruse, dobësitë në mekanizmat e kontrollit, shitjen e papërshtatshme të produkteve financiare dhe paraqitjen e informacioneve të pasakta.

Të hënën, kapitalizimi i bankës në treg ishte 62 miliardë euro.

Në reagimin e saj, Deutsche Bank deklaroi se çështjet e ngritura nga dokumentet e rrjedhura datojnë shumë vite më parë dhe, në disa raste, deri dy dekada më parë. Sipas bankës, aty ku ka qenë e nevojshme, këto çështje janë shqyrtuar në kohën përkatëse dhe janë diskutuar me autoritetet rregullatore.

Banka theksoi se sot është një institucion ndryshe dhe se, nën drejtimin e Christian Sewing, ka kaluar një transformim rrënjësor.

Ajo shtoi se gjatë periudhës 2019–2025 ka investuar 7 miliardë euro për përmirësimin e mekanizmave të kontrollit, ndërsa përparimi i saj është njohur nga tregu, autoritetet kryesore rregullatore dhe mbikëqyrëse, klientët dhe palët e tjera të interesuara.

Çfarë zbulojnë dokumentet?

Artikujt e publikuar nga Financial Times të martën tregojnë se Deutsche Bank kishte planifikuar zgjerimin e aktivitetit të saj të diskutueshëm në Rusi nën drejtimin e Sewing, duke anashkaluar shqetësimet e ekipit përgjegjës për respektimin e rregullave lidhur me klientët që kishin lidhje me Kremlinin, në një kohë kur tensionet gjeopolitike po rriteshin.

Dokumentet zbulojnë gjithashtu se banka kishte nxjerrë aksidentalisht deklaratat tatimore të Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial dhe e kishte mbajtur të fshehtë këtë gabim nga Shtëpia e Bardhë. Sewing ishte informuar për mënyrën se si po menaxhohej kriza.

Një tjetër zbulim lidhet me Jeffrey Epstein. Sipas investigimit, Deutsche Bank kishte përpunuar pothuajse 600 milionë dollarë pagesa të dyshimta të lidhura me Epstein, një shumë shumë më e lartë nga ajo që ishte bërë e njohur më parë.

Dokumentet nxjerrin në pah edhe një sërë mangësish në respektimin e rregullave, dobësi në qeverisjen e bankës, paaftësi organizative dhe probleme teknologjike.

Në një komunikim me autoritetet rregullatore, vetë Deutsche Bank kishte pranuar se, në praktikë, po vepronte jashtë kuadrit të ligjit dhe rendit.

Zbulime të tjera priten gjatë javës

Artikuj të tjerë që do të publikohen gjatë kësaj jave pritet të zbulojnë pagesa sekrete ndaj një anëtari të familjes mbretërore të Katarit, si dhe dobësi në sistemet që duhet të parandalojnë pastrimin e parave në Deutsche Bank.

Banka është përgjegjëse për më shumë se 1 trilion euro transferta ndërkombëtare çdo ditë, çka e bën funksionimin e mekanizmave të saj të kontrollit një çështje me rëndësi të veçantë për sistemin financiar ndërkombëtar.

Burimi: Financial Times

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

BE zgjeron sanksionet ndaj Rusisë, vendos në listë 50 banka dhe kompani të sektorit energjetik

Bashkimi Europian ka zgjeruar listën e sanksioneve ndaj Rusisë, duke përfshirë 145 individë dhe subjekte të tjera, mes tyre rreth 50 banka dhe inst...

1 hour më parë 2 Min Lexim

Mbi 100 vjet për t’u barazuar, pensionet në Shqipëri sa 19% e nivelit të BE-së sipas fuqisë...

Pensioni mesatar neto në Shqipëri kishte vetëm 19% të fuqisë blerëse të pensionit mesatar në Bashkimin Europian në vitin 2025, niveli më i ulët në ...

4 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!