Reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar problematika në disa zona të qarkut Shkodër.
Sipas informacionit të Prefekturës, situata paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, ndërsa janë evidentuar dëmtime në infrastrukturë dhe rrëshqitje dherash në disa akse rrugore.
Në Bashkinë Shkodër, si pasojë e rritjes së prurjeve të përrenjve, është dëmtuar ura në Grykën e Nërshqemit, në fshatin Breg Lumi, Njësia Administrative Shalë.
Ndërkohë, në Bashkinë Fushë-Arrëz janë konstatuar rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash në disa akse rurale.
Strukturat përgjegjëse janë angazhuar për pastrimin e rrugëve dhe normalizimin e qarkullimit.
Në bashkitë Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës nuk raportohen problematika. Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e qarkut janë regjistruar rreth 65 milimetra reshje shiu.
Prefektura bën me dije se nivelet e lumit Drin dhe të liqenit vijojnë të jenë nën kuotat e riskut, ndërsa hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri.
Prefektura e Qarkut Shkodër vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në rast problematikash.













