Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se do t’i qëndrojë dakordësisë për mbështetjen e Florian Binajt si kandidat i përbashkët i opozitës për Tiranën në zgjedhjet vendore.
I ftuar në “Off the Record” në A2 CNN, Lapaj, u shpreh se vitin e kaluar kanë marrë një vendim përtej partive për të mbështetur Florjan Binajn si kandidat të pavarur për Bashkinë e Tiranës dhe do t’i qëndrojnë deri në fund kësaj zgjedhjeje.
“Ne si lëvizje jemi treguar shumë objektivë dhe kemi qëndruar te ajo që u dakordësua. Të mblidhen të gjithë faktorët dhe të dakordësohen që duhet futur edhe kjo dhe ajo, dhe ta diskutojmë. Ai që u promovua po thotë që do të vazhdojë garën për Tiranën. S’mund ta ndryshojmë mendjen sipas kohës. Në polici duhet koherencë. Ne do t’i qëndrojmë asaj që u dakordësua, s’mund të bëjmë lojëra”, u shpreh Lapaj.













