Në Sudan, dronët shkaktojnë gati 75 për qind të viktimave civile këtë vit, alarmon OKB-ja
Kombet e Bashkuara konfirmojnë 2.230 viktima civile në luftën në Sudan gjatë vitit 2026, prej të cilave më shumë se 1.630 janë shkaktuar nga sulmet me dronë.
Sulmet me dronë janë bërë shkaktari kryesor i vdekjeve të civilëve në luftën që po zhvillohet në Sudan. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, afro tri të katërtat e viktimave civile të konfirmuara këtë vit janë vrarë nga sulmet ajrore me mjete pa pilot, raporton Reuters.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar 2.230 viktima civile nga janari deri më tani gjatë vitit 2026. Prej tyre, më shumë se 1.630 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve me dronë.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, ka dënuar shkeljet e rënda të ligjeve të luftës nga palët ndërluftuese, duke paralajmëruar se disa prej veprimeve mund të përbëjnë krime lufte.
Sipas raportit, përdorimi gjithnjë e më i madh i dronëve po ndryshon natyrën e konfliktit, pasi sulmet mund të kryhen në distanca të mëdha, larg vijave të frontit.
Shqetësim i veçantë mbetet edhe goditja e infrastrukturës civile, përfshirë objektet e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, duke përkeqësuar kushtet e jetesës për popullsinë.
Lufta në Sudan, e cila nisi në prill të vitit 2023 mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare dhe zhvendosjen e miliona njerëzve.
OKB-ja u bën thirrje palëve që të ndalin sulmet ndaj civilëve dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar















