Në njoftimin e publikuar më 16 nëntor, ambasada thekson se grumbullimet e mëdha të njerëzve dhe ngjarjet publike mund të paraqesin objektiva të mundshme për grupet terroriste dhe personat e përfshirë në aktivitete kriminale.

Sipas paralajmërimit, sulmet terroriste, përfshirë ato të kryera nga individë të vetëm, mund të ndodhin me pak ose aspak paralajmërim paraprak. Si vende me rrezik potencial përmenden tregjet festive, qendrat e transportit, qendrat tregtare, objektet fetare dhe hapësirat e tjera publike.

Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në festivale dhe ngjarje festive, si dhe në zonat turistike me frekuentim të lartë.

Në njoftim paralajmërohet gjithashtu për mundësinë e ndërprerjeve të udhëtimeve dhe të jetës së përditshme në Evropë gjatë sezonit të festave.

“Grumbullimet e mëdha dhe ngjarjet publike mund të paraqesin objektiva të mundshme për grupet terroriste dhe kriminelët. Terroristët, përfshirë edhe individët që veprojnë të vetëm, mund të sulmojnë me pak ose aspak paralajmërim paraprak, duke shënjestruar lokacione turistike si tregjet, nyjat e transportit, qendrat tregtare, objektet fetare dhe hapësirat e tjera publike.”

Ambasada përmend se gjatë muajve të fundit janë shtuar grevat dhe protestat, ndërsa gjatë nëntorit kërcënimet e rreme për bomba kanë shënjestruar aviacionin civil në disa vende evropiane, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve.

Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u është rekomanduar të përcjellin lajmet lokale, të informohen për zhvillimet që mund të ndikojnë në transport dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve policore dhe emergjente.

Ndër masat e rekomanduara janë shmangia e protestave dhe zonave me prani të shtuar policore, mbajtja e një profili të ulët, ruajtja e sendeve me vlerë dhe kontaktimi paraprak me kompanitë ajrore për të kontrolluar nëse ka ndryshime në planet e udhëtimit.

Ambasada gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që t'i informojnë familjarët dhe personat e afërt për planet e udhëtimit dhe të regjistrohen në programin Smart Traveler Enrollment Program (STEP), për të marrë përditësime mbi sigurinë në destinacionet ku udhëtojnë.

Njoftimi vlen për Evropën në përgjithësi dhe nuk identifikon ndonjë kërcënim konkret apo objektiv të caktuar në Kosovë.